Manchester City kualifikohet në gjysmëfinale të UEFA Champions League, aty ku përballë do të ketë një rival të njohur

Sport

Manchester City kualifikohet në gjysmëfinale të UEFA Champions League, aty ku përballë do të ketë një rival të njohur, sikurse është Real Madrid.

Për të mbërritur deri në këtë pikë, Cityzens eliminuan në çerekfinale pikërisht një skuadër të kryeqytetit spanjoll, Atleticon. Në Estadio Metropolitano, sfida pati mjaft ritëm. Deri në fërshëllimën e fundit, çdo gjë ishte e mundur të ndodhte, por gjithësesi topi nuk shkoi asnjëherë në rrjetë. NJë duel i ashpër, që u mbyll në barazim 0-0 dhe anglezët siguruan biletën për më tej, falë fitores 1-0 në shtëpinë e tyre gjatë javës së shkuar.

Në krahun tjetër, përfundon këtu gara në kompeticionin më madhështor të klubeve për Atletico Madrid. Për të dytin vit radhazi, Rojiblancos janë eliminuar nga një skuadër angleze. Në sezonin e kaluar nga Chelsea dhe këtë herë nga City. Për herë të fundit kur spanjollët ishin eliminuar në dy edicione të njëpasnjëshme nga skuadra të të njëjtit shtet, ishte sezoni 1998/99, nga italianët e Lazios dhe Parmës.

Për t’u rikthyer tek Manchester City, kjo është gjysmëfinala e dytë radhazi për kampionët e Premier League, ndërsa e 9-ta në karrierë për Pep Guardiolën, I cili bëhet trajneri I vetëm në historinë e Champions League që ka mundur të kualifikohet kaq herë në këtë raund. Raundi I parë gjysmëfinal mes Manchester Cityt dhe Real Madrid do zhvillohet në tokën angleze, të martën e 26 prillit.

Nazif Zylali

Tring Sport