Manchester United shënjestron Nagelsmann si zëvendësuesin e Solskjaer

Sport

Vështirësitë e hasura në këtë fillim të sezonit duket se do të kushtojnë shumë për Ole Gunnar Solskjaer, që është më pranë se kurrë shkarkimit nga detyra si trajner i Manchester United. Norvegjezi me gjasa do t’i jepet një mundësi e fundit në ‘klasiken’ angleze kundër Liverpool, që si për ironi të fatit është edhe ndeshja që ka vendosur fatin e dy trajnerëve paraardhës të Solskjaer. Por drejtuesit e Manchester United thuhet të kenë filluar punën edhe për të gjetur zëvendësuesin e duhur për norvegjezit. Një nga emrat më potencialë të përmendur së fundmi vjen nga Gjermania. Julian Nagelsmann ka fituar vëmendjen e të gjithëve me punën e bërë fillimisht tek Hoffenheim, e tanimë tek Leipzig. Trajneri i ri është krahasuar me emrat më të mëdhenj të futbollit europian sa i përket filozofisë së lojës dhe për Manchester United mund të ishte njeriu i duhur që do të ndryshonte fytyrën e skuadrës.

Por angazhimi i Nagelasmann nuk do të jetë një mision i lehtë. Tekniku 32-vjeçar firmosi në qershor një kontratë që e mban në krye të Leipzig deri në vitin 2023, prandaj afrimi i gjermanit do të kërkonte disa sakrifica ekonomike nga ana e Manchester United. Për vetë Nagelsmann, marrja e detyrë në krye të stolit të ‘djajve të kuq’ do të ishte absolutisht një shans i artë për të luftuar ndaj më të mirëve, duke qenë se klubi anglez është gati t’i vërë në dispozicion edhe një buxhet të kënaqshëm. Nga ana tjetër, Solskjaer ka pranuar të marrë përgjegjësinë e rezultateve të dobëta të skuadrës, çfarë kanë sjellë edhe nisjen më të dobët të sezonit në 30 vite për klubin e United.