Massimiliano Allegri mund të rinovojë kontratën me Juventusin

Sport

Massimiliano Allegri ka dhënë sinjale të mira rinovimi me Juventusin. Marrëveshja aktuale e trajnerit në fjalë me Zonjën e Vjetër është e vlefshme deri në verën e 2025-tës, por nuk përjashtohet mundësia që së shpejti, palët të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe të nënshkruajnë një të re.

I pyteur mbi një temë të tillë, në konferencën për shtyp, përpara ndeshjes me Monzan në transfertë, e vlefshme për javën e 14-të, Allegri është parë optimist, teksa është shprehur se prej kohësh, bashkë me drejtuesit e klubit, ka biseduar rreth mundësisë së një kontrate të re dhe rezultatet janë shpresëdhënëse.

“Përgjatë kësaj periudhe kemi biseduar shpesh për një çështje si kjo. Me Juventusin kam një kontratë deri në vitin 2025 dhe bashkë po punojmë për të ardhmen e klubit. Kam një marrëdhënie mjaft të mirë, si me lojtarët, ashtu edhe me menaxherët e Juventusit. Harmonia është mjaft e mirë, diçka që është një tregues se këtë klub e pret një e ardhme e rëndësishme. Tek Juventusi, njerëzit ikin dhe vijnë, por ADN-ja mbetet. Për këtë arsye, këtu duhet të qëndrojnë të qetë dhe të ruajmë një profil të ulët”, ka deklaruar ndër të tjera trajneri Allegri.

Më tej, livornezi nuk i ka shpëtuar dot një tjetër pyetjeje për titullin kampion, teksa është shprehur se objektivi kryesor i Juventusit, duhet të jetë thellimi sa më tepër i distancës me ata që ka pas vetes, me vendin e pestë, ndërsa ka theksuar se kampionati është një lundrim në det, dhe jo një garë e shpejtë, duke nënkuptuar se skuadra duhet të zotërojë mentalitetin e duhur për të qëndruar në ekuilibër dhe për të vazhduar serinë e fitoreve. Sipas Allegrit, më e rëndësishme është dëshira për t’u përmirësuar, ditë pas dite.