Massimiliano Allegri zbulon objektivin e radhës të Juventusit

Sport

Prej javësh me radhë, trajneri Massimiliano Allegri është shprehur në konferencat për shtyp, se sigurimi i një vendi në Champions League për sezonin e ardhshëm është objektivi kryesor i skuadrës së tij. Mirëpo, teksa një objektivi i tillë, tashmë duket se është kyçur në kasafortë, me Juventusin që renditet i dyti në tabelë, 13 pikë më tepër sesa vendi katërt, Allegri ka zbuluar një tjetër objektiv të skuadrës së tij.

Timonieri livornez është shprehur se Kupa e Italisë është objektivi i radhës i Juventusit për këtë edicion futbollistik. Të enjten mbrëma, Juventusi do të sfidohet në çerekfinalen e Kupës me Frosinonen, takim që do të luhet në Torino dhe që është vetëm me një sfidë.

Pikërisht përpara një përballjeje të tillë, numri një i stolit bardhezi, ka thënë se lojtarët e tij duhet të bëjnë kujdes në një ndeshje si kjo, sepse Kupa është një objektiv që duhet arritur, prandaj përqendrimi duhet të mbetet i lartë.

Ndaj Frosinones, Juventusi nuk do të ketë të gatshëm dy lojtarë të rëndësishëm, sikurse janë Federico Chiesa dhe Adrien Rabiot, të cilët vuajnë nga problemet fizike. Megjithatë, si mesfushori, ashtu edhe sulmuesi, do të jenë gati për duelin e radhës në kampionat, atë ndaj Sassuolos, që gjithashtu do të luhet në Allianz Stadium.