Max Verstappen kërkon rikthimin e ‘Red Bull’ pas garës së Singaporit

Sport
Max Verstappen ia doli ta mbyllte në podium garën për ‘Çmimin e Madh’ të Singaporit, ku në fund i rezistoi edhe sulmit të kampionit të botës në fuqi, Leëis Hamilton. Megjithatë duket se Verstappen nuk është i kënaqur me rezultatin e marrë. Holandezi është shprehur se priste vërtet diçka më shumë nga makina e tij dhe zbuloi se objektivi i ‘Red Bull’ ishte fitimi i garës. Megjithatë, një-vendëshja austriake e kishte të vështirë të ruante ritmin e Ferrarit, që ishte absolutisht makina që dominoi të gjithë fundjavën. Verstappen mendon se gara e Singaporit tregoi qartësisht përmirësimet e kundërshtarëve dhe se për ‘Red Bull’, fundjava në ‘Marina Bay’ la një mesazh të qartë për inxhinierët e skuderisë austriake. Piloti 21-vjeçar këmbënguli se ‘Red Bull’ duhet të përmirësohet në ritëm dhe shpejtësi që nga gara e ardhshme, në mënyrë që të shihen si një skuadër pretendente dhe jo thjesht si ndjekësit e Mercedes e Ferrari. Verstappen shpreson shumë që diferencat me 2 skuadrat e tjera kryesore të ‘Formula 1’ të mbyllen sa më shpejt, në mënyrë që edhe holandezi të ketë një mundësi konkrete për të luftuar për titullin kampion.
Sa i përket garës së Singaporit, Verstappen zbuloi se ‘Red Bull’-i i tij nuk po i përgjigjej si duhet nëpër kthesa dhe kjo e shqetësonte jo pak. Shpejtësia dhe qëndrueshmëria në kthesa, apo edhe aerodinamika, kanë qenë ndër pikat më të forta të ‘Red Bull’ në dekadën e fundit, por në Singapor u pa se edhe në këtë aspekt, rivalët i kanë ulur diferencat, çfarë do vërë në punë Christian Horner dhe inxhinierët e tij.