Mercedes i jep triumfin Lewis Hamilton në garën e Hungarisë…

Sport

Lewis Hamilton është kthyer tek fitorja dhe e bën këtë pikërisht në garën e Hungarisë. Kampioni i botës nuk shihej si favoriti kryesor në startin e këtij çmimi të madh, pasi nisej vetëm nga vendi i tretë, pas Max Verstappen dhe Valtteri Bottas. Piloti holandez i Red Bull nisej për herë të parë në karrierë nga pole-position dhe pas paraqitjeve të mira në 3 garat paraardhëse, pritej të udhëhiqte makinën e tij drejt fitores.
Nisja do të ishe mjaft e mirë për Verstappen, që do të mbrohej nga sulmet e dy makinave Mercedes. Bottas do të gabonte duke dëmtuar një nga gomat e tij, çfarë me kalimin e xhiros i kushtoi shumë pozicione. Verstappen po e menaxhonte situatën mjaft mirë dhe ishte dukshëm më superior ndaj kundërshtarëve, por ajo çfarë ndryshoi gjithçka ishte strategjia e skuadrave. Mercedes vendosën të ndryshonin sërish gomat e Hamilton, teksa tek Red Bull po shpresonin që Verstappen të rezistonte me gomat e vendosura më parë. Mirëpo, Hamilton ishte dukshëm më i shpejtë dhe kur kishin mbetur vetëm 3 xhiro nga fundi, ia doli të merrte kryesimin e garës.
Vetëm vendi i dytë për Max Verstappen, që gjithësesi mbetet i kënaqur, pasi ky rezultat e sheh në luftën për titullin kampion. Tek Ferrari, duelin për vendin e tretë e fitoi Vettel, që falë eksperiencës së tij ia doli të lërë pas vetes Charles Leclerc. Vendi i pestë shkoi për Carlos Sainz me McLaren, ndërsa piloti tjetër i Red Bull;, Pierre Gasly u rendit në vendin e gjashtë. Pas triumfit në Hungari, Lewis Hamilton udhëheq renditjen e përgjithshme për pilotë me 250 pikë, ndërsa ndjekin Bottas me 188 dhe Verstappen me 181 pikë. Tek renditja për konstruktorë udhëheq sërish Mercedes me 438 pikë, 150 më shumë se Ferrari i vendit të dytë.