Mërgim Mavraj i jep fund me Hamburgun

Sport

mergim hamburg
Beteja midis Mërgim Mavrajt dhe Hamburgut ka mbërritur në fundin e saj, teksa dy palët mund të thuhet se kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të prishur kontratën mes tyre, pas një viti e gjysmë me oshilacione.  Vetë mbrojtësi i kombëtares shqiptari ka bërë të ditur nëpër rrjetet sociale se ishte larguar përfundimisht nga klubi gjerman. “Një kontratë prishet, por asnjëherë një lidhje emocionale. Më pëlqeu shumë që isha këtu dhe që e kam ndihmuar Hamburgun me shumë pasion. Nuk përse kërkon kurrë të të falënderojnë apo të të respektojnë për këtë. Se çfarë do të thotë krenari, ne e përjetuam në majin e viti 2017, atëherë përjetuam krenarinë e vërtetë”, ishin ndër të tjera fjalët e Mavrajt në rrjetet sociale drejtuar tifozëve të Hamburgut.

mavraj
Mbrojtësi iu bashkua skuadrës gjermane në janarin e vitit 2017, duke qenë fillimisht një titullar i padiskutueshëm. Por që në janarin e vitit 2018, ai befasisht përfundoi në pankinë për zgjedhje teknike. Ndërsa më pas u dënua me kalimin te U21 duke e bërë të pamundur vazhdimin e aventurës së përbashkët midis klubit dhe lojtarit.
Ndërkohë, edhe klubi gjerman ka përshëndetur Mavrajn, duke bërë të ditur se marrëveshja më futbollistin shqiptar ishte ndërprerë me mirëkuptim. “Ne e falënderojmë Mërgimin dhe i urojmë atij më të mirat sa i takon të ardhmes së tij”, ishin fjalët e drejtorit sportiv, Ralf Beker. Tani mbetet të mësohet se ku do të jetë e ardhmja e Mavrajt, me alternativën më të mundshme atë në kategorinë e dytë spanjolle, të Deportivo La Korunja. Ndonëse ka interesim dhe nga Turqia dhe Breshia në Serinë B.