Migjen Basha i jep zemër Barit që do ngjitjen në Serinë A

Sport

Migjen Basha

Në Serinë B italiane u luajt në fundjavë një derbi shqiptarësh, përderisa Bari i Migjen Bashës priti Entelën e Alijit dhe Llullakut. Si përfundim fituan puljezët me shifrat 1-0, ndërkohë që mesfushori i Kombëtares kuqezi luajti 90 minuta dhe në fund festoi rikthimin tek fitorja. Si kundërshtar pati vetëm Naser Alijin, ndërsa lojtari tjetër shqiptar Asdren Llullaku qëndroi në stol, si zakonisht. Renditja sheh Entelën shumë pranë zonës së rënies direkt një kategori më poshtë. Ndërsa Bari është në garë për të kapur vendin e dytë, që të dërgon direkt në Serinë A. Mjaft e rëndësishme në këtë drejtim pritet të jetë sfida e mesjavës që puljezët do ta luajnë në transfertë ndaj Palermos. Pikët e distancës nga zona e ngjitjes direkte janë 3, kur mungojnë 4 javë nga fundi i sezonit të rregullt në Serinë B. Prandaj, përballja në Sicili merr një vlerë gati përcaktuese në lidhje me synimet e Baruit. Në emër të grupit përpara nisjes për në Palermo ka folur pikërisht Kapiteni Migjen Basha: “Jemi të motivuar, duke ditur që ndeshja e së martës me Palermon është themelore. Po ashtu shoh tepër të karikuar edhe tifozët, që po na transmetojnë shumë energji përpara një takimi tepër vendimtar”. Ndërkohë, një tjetër shqiptar si Federik Veseli ka arritur të sigurojë ngjitjen në Serinë A me Empolin. Mjaftoi një pikë ndaj Novarës për të shpallur ekipin toskan kampion të Serisë B, duke i dhënë biletën e rikthimit mes më të mëdhenjve, vetëm pas 1 viti.