Milani refuzon 80 milionë euro për portierin Mike Maignan

Sport

Milani refuzon 80 milionë euro për portierin Mike Maignan. Në dy sezone të kaluara me kuqezinjtë, francezi është kthyer në një prej pikave më të forta të skuadrës së drejtuar nga Stefano Pioli. Përveç sigurisë që garanton në katërkëndësh, Maignan cilësohet i shkëlqyer edhe në lojën me këmbë, një element që në futbollin modern është tepër i domosdoshëm për një portier. Po ashtu, ish-futbollisti i Lille, zotëron një mentalitet kampioni dhe konsiderohet thelbësor edhe në dhomat e zhveshjes për pjesën tjetër të ekipit.

I blerë nga Milani për vetëm 15 mln euro, aftësitë e 27 vjeçarit të Milanit, kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të ndryshme të kontinentit dhe Chelsea është një prej tyre. Blutë, një ekip në tranzicion, duan të “blindojnë” edhe portën, pasi situata nuk është aspak e qëndrueshme me portierët aktualë, si Eduard Mendy, gjithashtu edhe Kepa Arrizabalaga.

Në kushte të tilla, drejtuesit, kanë dalë në përfundimin, se për të mbyllur problemet me linjën e fundit të mbrojtjes, duhet blerë Mike Maignan. Për të siguruar shërbimet e francezit, mediat në ishull raportojnë se londinezët, kanë ofruar deri në 80 mln euro në drejtim të Milanit. Megjithatë, pavarësisht kësaj, klubi kuqezi nuk është joshur nga ky propozim, por e ka refuzuar atë. Maignan cilësohet i paprekshëm në kampin e 7 herë fituesve të Champions League, pasi ai cilësohet ngushtë si pjesë e projektit të së ardhmes.

Madje, 19 herë kampionët e Italisë nuk duan të ndalen këtu. Duke vrojtuar situatën, drejtuesit janë vënë në lëvizje dhe duan që të rinovojnë kontratën me portierin në fjalë, ndonëse ajo aktuale përfundon në verën e 2026-tës. Mediat përtej detit shkruajnë se Milani ka gati një propozim deri në 2028-tën, ku padyshim do të ketë edhe një përmirësim të termave financiarë. Me firmën e re, Maignan, pritet të përfitojë 5 mln euro në sezon.