MotoGP, Dani Pedrosa deklaron tërheqjen nga garat në fund të sezonit

Sport

dani moto

Pas këtij sezoni Dani Pedrosa nuk do të garojë më në MotoGP. Motoristi i skuadrës Honda ka deklaruar se ky do të jetë kampionati i fundit që merr pjesë për faktin se i ka humbur ndjesitë për të përballuar intensitetin e lartë të garave. 32-vjecari i cili ka një kontratë deri në vitin 2019-të me skuadrën japoneze humbi vendin e tij pas vendimit për të marrë Jorge Lorenzon si pilot të dytë. “Eshtë një vendim i vështirë, sepse ky është sporti që unë dashuroj më së shumti. Jam këtu prej që kur se kam qenë i vogël dhe për t’u larguar kam menduar gjatë” – u shpreh spanjolli i cili gjatë karrierës ka përfunduar si nënkampion tre herë.

pedrosa

32-vjecari përflitej shumë se mund të kalonte te Yamaha vitin e ardhshëm, por duket se ky vendim është i pandryshueshëm për të. “Pavarësisht se kam shumë mundësi për të mbetur në gara dhe në pistë, kam përshtypjen se nuk i ndjej më garat si dikur, po aq edhe intensitetin e lartë dhe tashmë kuptoj se kam prioritete të tjera në jetë” – ka shtuar më tej shtatshkurtri. Pedrosa debutoi në MotoGP në vitin 2006, kur ishte vetëm 20 vjeç. Ai ka fituar 32 gara dhe përgjithësisht për të ka pasur pritshmëri të larta, por që kurrë nuk u përmbushën. Aktualisht ky sezon ka edhe 11 gara dhe përmbyllet në Çmimin e Madh të Spanjës në muajin nëntor, çka mund të rezultojë me një largim tejet emocionues për të.