MotoGP, ‘I rilinduri’ Vinales; spanjolli nuk fsheh entuziasmin për podiumin e parë me Aprilian

Sport

Maverick Vinales e cilëson veten si njeriun më të lumtur në botë për momentin. Piloti spanjoll regjstroi podiumin e parë që nga largimi i tij prej Yamaha-s, në atë që ishte i pari sukses me motorin Aprilia. Vinales u rendit i treti në garën e zhvilluar në pistën e Assen, në Holandë, ndonëse nuk shihej si favorit për të mbërritur tek podiumi. Spanjolli bëri një garë shumë të mirë, duke qenë në mënyrë konstante nën ritmin e Francesco Bagnaia dhe Marco Bezzecchi, të cilët gjendeshin përpara tij. Podiumi i parë për Vinales me Aprilian mund të kishte ardhur që në garën e Gjermanisë, por teksa renditje i katërti dhe kishte një ritëm mjaft të mirë, motori shfaqi një problem teknik, duke e detyruar të tërhiqej. Në Assen, gjërat folën në favor të spanjollit, që bëri më të mirën e tij për të siguruar një sukses që i jep qetësi, sidomos në aspektin psikologjik.

“Nuk mund të kërkoj asgjë më shumë. Kam në dispozicion një motor kompetitiv, një skuadër që po punon shumë për t’u përmirësuar dhe një mbështetje të jashtëzakonshme nga të gjithë. Dua të vazhdoj të shtyj përpara, të siguroj të tjera rezultate të mira sepse e shoh që i kam të gjitha mundësitë. Jam njeriu më i lumtur në botë dhe nuk dua të ndalem këtu.”

Maverick Vinales ishte vënë në qendër të kritikave gjatë garave të para të sezonit, për arsye se ende nuk dukej i përshtatur me motorin Aprilia, me të cilin punon prej thuajse 10 muajsh. Deri përpara garës së Holandës, rezultati më i mirë për Vinales në këtë sezon kishte qenë vendi i shtatë, i arritur në Argjentinë dhe Katalunjë. Ndërsa me podiumin e Assen, spanjollit i është kthyer dëshira për të qenë më agresiv në pistë, duke synuar të tjera suksese të rëndësishme për të dhe skuadrën.