MotoGP, KTM vendos të promovojë Pedro Acosta-n për 2024-ën

Sport

Pedro Acosta konsiderohet si një nga talentet e mëdhenj të garave me motora. 19-vjeçari spanjoll është krahasuar disa herë me Marc Marquez për stilin e tij të pilotimit dhe këtë sezon, është në garë për titullin kampion në kategorinë e ‘Moto2’. Acosta është prej vitesh nën kontratë me markën austriake ‘KTM’, që ka vendosur t’i besojë edhe më tej talentit të spanjollit. Ai ka një kontratë me ‘KTM’-ën deri në fund të 2024-ës dhe dëshira e palëve është kjo marrëveshje të zgjatet edhe më tej, teksa bisedimet kanë nisur. Ndërkohë drejtuesit e ‘KTM’-ës kanë vendosur të bëjnë një tjetër hap përpara, si për të shfaqur akoma më shumë besimin ndaj Acosta-s. Siç raportojnë burimet pranë markës austriake, Acosta-s i është propozuar një vend në skuadrën zyrtare të ‘KTM’-ës në ‘MotoGP’ për vitin e ardhshëm, çfarë do të kompletonte ngjitjen e shpejtë të spanjollit deri në elitën e garave me motora. Plani fillestar i drejteusve ka qenë që Acosta të bëhej pjesë e ‘MotoGP’ vetëm në vitin 2025, gjithmonë nëse do të rinovohej kontrata me të. Mirëpo paraqitjet e shkëlqyera të 19-vjeçarit përgjatë këtij sezoni në ‘Moto2’ e sidomos triumfet brilante të arritura në Mugello për ‘Çmimin e Madh’ të Italisë dhe në Sachsenring për ‘Çmimin e Madh’ të Gjermanisë, kanë bërë që tek ‘KTM’ t’i besojnë një nga motorët e tyre në ‘MotoGP’ vitin e ardhshëm. Përfaqësuesit e pilotit spanjoll e kanë konfirmuar një gjë të tillë, duke u shfaqur të lumtur me besimin e dhënë ndaj Acosta-s, që gjithashtu i është mirënjohës markës austriake për mundësitë e dhëna që në kategoritë më të ulëta. Aktualisht, Pedro Acosta mban vendin e dytë në renditjen e përgjithshme për pilotë në ‘Moto2’ me 124 pikë, vetëm 15 më pak se sa kryesuesi dhe rivali i tij më i madh deri më tani, Tony Arbolino.