Mourinho thotë se mosha e Joao Felix nuk është justifikim nëse dështon

Sport

Jose Mourinho përpiqet gjithmonë të krijojë polemika me deklaratat e tij dhe së fundmi nën shënjestrën e tij ka qenë talenti i ri i Atletico Madrid, Joao Felix. Ylli i ri i ‘los rojiblancos’ ka mahnitur me paraqitjet e tij në fazën përgatitore, madje duke qenë edhe protagonist në ndeshjet miqësore të skuadrës së Diego Simeones. I transferuar nga Benfica për 120 milionë euro, pritshmëritë ndaj Joao Felix janë të mëdha, madje shumë besojnë se portugezi do të bëjë atë që nuk e përmbushi dot Antoine Griezmann; të udhëheqë skuadrën madrilene drejt trofeve madhorë. Sa i përket këtyre pritshmërive, Mourinho deklaron se të tilla zëra vetëm sa rrisin presionin tek Joao Felix. Megjithatë edhe trajneri portugez beson se në rast se lojtari nuk ia del të realizojë detyrat e tij, atëherë ai dhe klubi nuk duhet të kapen tek mosha e re.

Sipas Mourinhos, investimi kolosal që Atletico Madrid ka bërë për Joao Felix, bën që lojtari të mos i shpëtojë dot përgjegjësive madhore në skuadrës, edhe nëse është 18, 20 apo 25 vjeç. Nga njëra anë, Felix duhet të krenohet me këtë gjë, pasi tregon rëndësinë e tij në skuadër, por për më tepër, e vendos atë mes emrave më të rëndësishëm të futbollit evropian. Veç Joao Felix, Atletico Madrid ka arritur të sigurojë gjatë verës edhe firmat e Kieran Trippier, Marcos Llorente dhe Hector Herrera, çfarë kanë rritur besimin tek tifozeria madrilene. Edhe vetë trajneri Simeone e ka pranuar se tashmë skuadra e ka kuptuar se luajnë për një klub të madh dhe duhet ta tregojnë këtë edhe me rezultatet dhe mënyrën se si luajnë në fushën e blertë.