NBA, Konferenca e Lindjes

Sport

‘Konferenca e Lindjes’ duket se tashmë i ka mësuar skuadrat që do të luftojnë për kreun e renditjes deri në fund të sezonit të rregullt. Boston Celtics, Milwaukee Bucks dhe Cleveland Cavaliers kanë arritur të sigurojnë fitoret e radhës. Celtics kaluan pa shumë telashe Washington Wizards 130-121. Bucks treguan forcën 124-115 ndaj Dallasit të Luka Doncic, ndërkohë që Cavaliers bënë detyrën kundër Detroit Pistons, pas triumfit 102-94.

Vazhdojnë ngjitjen në tabelë ata të Philadelphia 76ers. Skuadra e trajnerit Doc Rivers fitoi dy ndeshje radhazi ndaj Orlando Magic, pavarësisht se vuajnë mungesat e rëndësishme të Joel Embiid, James Harden apo Tyrese Maxey.

Brooklyn Nets triumfuan ndaj Portland Trail Blazers 111-97, në një ndeshje që mori drejtimin e duhur për njujorkezët vetëm në periodën e katërt. Kevin Durant ishte shënuesi më i mirë me 31 pikë, por dalloi në këtë përballje edhe Seth Curry, me 29 pikë.

Bie në sy ndërkohë gjatë javës që lamë pas edhe forma e mirë e Miami Heat, që kanë siguruar 3 fitore të njëpasnjëshme. Në sfidën me një rival direkt për fazën ‘play-off’, Heat mposhtën 106-98 Atlanta Hawks. Bam Adebayo ishte shënuesi më i mirë me 32 pikë, por lideri i mbrëmjes për Miami-n ishte Tyler Herro, që kompletoi një ‘triple-double’ me 11 pikë, 11 ribaunde e 10 asiste.