NBA, ‘Konferenca e Perëndimit’ pritet të dominojë sërish sezonin e ardhshëm

Sport

golden

Golden State Warriors mbetet skuadra që duhet mposhtur. Edhe sezonin e ardhshëm, kampionët në fuqi mbeten favoritë kryesorë për të triumfuar, pas jo vetëm që nuk kanë larguar asnjë prej yjeve të skuadrës, por kanë afruar edhe DeMarcus Cousins, i cilësuar si një nga qendrat më të forta të viteve të fundit. Por në “Konferencën e Perëndimit” me ambicie të mëdha do të jetë edhe Los Angeles Lakers, që me nënshkrimin e LeBron James, apo Rajon Rondo, synojnë rikthimit në majat e basketbollit amerikan. Tek Houston Rockets ndërkohë nuk kanë ndryshuar shumë. Largimi i Trevor Arizas drejt Phoenix Suns është zëvendësuar me veteranin Carmelo Anthony, që nëse arrin të përshtatet si duhet, mund të ndihmojë teksanët të bëhen kërcënim edhe më i madh për Golden State.

lakers
Ndërsa në “Konferencën e Lindjes”, gjërat nuk shkojnë mirë. Largimi i LeBron James nga Cleveland Cavaliers mund të sjellë një rënie të ndjeshmë të kësaj skuadre. Toronto Raptors gjithashtu shihet me skepticizëm, pasi edhe pse kanë afruar një yll si Kawhi Leonard, që ende nuk është i bindur nëse do të qëndrojë, kanë larguar DeMar DeRozan. Ky i fundit ishte absolutisht më i miri për kanadezët vitin e kaluar, dhe njeriu që i udhëhoqi deri në fazën “play-off”. Kështu, e vetmja skuadër që mund të përbëjë kërcënim për skuadrat perëndimore është Boston Celtics. Rikthimi i Kyrie Irving do të ketë shumë peshë. Së bashku me talente si Jayson Tatum, Terry Rozier apo Jaylen Brown, do të jenë me shumë gjasa finalistët e anës lindore për sezonin e ardhshëm.