NBA, Mavericks e Sixers dhurojnë spektakël; Warriors mposhtin edhe LA Clippers

Sport

Dallas Mavericks dhe Philadelphia 76ers kanë zhvilluar një nga ndeshjet më të bukura të sezonit të rregullt të NBA për 2023-shin, në një sfidë që pa maksimumin nga yjet e të dyja skuadrave, me teksanët që triumfuan 133-126. Loja ishte mjaft e balancuar gjatë pjesës së parë, me Mavericks që patën një avantazh shumë të lehtë. Diferenca për ekipin e trajneri Jason Kidd u bë në periodën e tretë, që e fituan me rezultatin e pjesshëm 39-24. Luka Doncic ishte shënuesi më i mirë në parket me plot 42 pikë, vetëm 2 më shumë se sa ylli tjetër i Mavericks, Kyrie Irving. Në total, dyshja kryesore e Dallasit shënoi 82 pikë, teksa ishte hera e parë që dy lojtarë të kësaj skuadre, realizojnë nga 40 pikë në të njëjtën ndeshje. Tek Philadelphia ndërkohë më të mirët ishin Joel Embiid me 35 pikë dhe Tyrese Maxey me 29 pikë, ndërsa James Harden kompletoi një ‘double-double’ me 27 pikë e 13 asiste.

Një tjetër ndeshje me peshë ishte ajo mes Golden State Warriors dhe Los Angeles Clippers, kundërshtarë direkt për një vend në fazën ‘playoffs’. Përpara tifozëve të tyre, kampionët e Warriors sërish nuk zhgënjyen, duke triumfuar 115-91. Pavarësisht rezultatit final, fitorja nuk ishte aspak e lehtë për lojtarët e trajnerit Steve Kerr. Clippers dominuan gjatë pjesës së parë, duke siguruar një avantazh prej plot 11 pikësh. Por një paraqitje fantastike e Warriors në periodën e tretë, bëri që gjithçka të përmbysej, duke zhytur Clippers në krizë rezultatesh, pasi nuk gjejnë fitoren prej 4 ndeshjesh radhazi. Jordan Poole ishte shënuesi më i mirë i takimit me 34 pikë, ndërsa Klay Thompson e mbylli me 19 pikë e 11 ribaunde. Për Clippers, më i miri ishte Leonard me 21 pikë, teksa zhgënjyen Paul George e Russell Westbrook. Tani Warriors e shohin veten në vendin e pestë të renditjes në ‘Konferencës së Perëndimit’, në pritje të rikthimit të Steph Curry, ndërkohë që Clippers kanë zbritur në vendin e shtatë.
Në takimet e tjera, Washington Wizards mposhtën 119-108 Toronto Raptors, me Kyle Kuzma që bëri diferencën me 30 pikë të shënuara. Kurse San Antonio Spurs kanë bërë surprizën, pasi triumfuan 110-99 ndaj Indiana Pacers, që ende shpreson të arrijë zonën ‘play-in’ në ‘Konferencën e Lindjes’