NBA, Suns i përgjigjen ofertës së Pacers; Ayton qëndron në Phoenix, ‘largohet’ Durant

Sport

DeAndre Ayton do të vijojë të jetë pjesë e Phoenix Suns edhe në nisjen e sezonit të ardhshëm të NBA. Një nga lojtarët më të rëndësishëm, të cilit i skadoi kontrata këtë verë, do të vijojë të luajë tek skuadra nga Arizona, pas një telenovele mes Suns dhe Pacers, që zgjati vetëm pak orë. Duke qenë se mes Phoenix dhe Ayton nuk kishte një marrëveshje për rinovimin, Indiana Pacers vendosën të provonin për të firmosur me zgjedhjen e parë në ‘Draft’-in e 2018-ës, që do të ishte një afrim me shumë peshë për skuadrën nga ‘Konferenca e Lindjes’. Phoenix Suns kishin 2 ditë kohë për t’ju përgjigjur kësaj situate dhe në fakt, skuadrës nga Arizona i mjaftuan vetëm 2 orë për të firmosur rinovimin me Ayton. Ky i fundit përfiton një kontratë 4-vjeçare, nga ku do të përfitojë 133 milionë dollarë në total, çfarë komplikon shumë gjëra për merkaton e Suns.

Kjo, sepse në bazë të rregullores së NBA, Phoenix nuk mund të përfshijë Ayton në një shkëmbim deri në 15 janarin e vitit të ardhshëm. Në këtë mënyrë, bëhet thuajse e pamundur që Kevin Durant të mbërrijë tek Phoneix, pas këta të fundit nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga Devin Booker, që shihet si kërkesa kryesore për Brooklyn Nets. Për më tepër, Suns tani duhet të mendojnë të rregullojnë edhe bilancet financiare, pasi me kontratën e re të Ayton, e kalojnë tavanin e parashikuar të pagave. DeAndre Ayton thuhet se ka qenë i entuziasmuar për t’u bërë qendra e projektit tek Indiana Pacers, ku do të bashkonte forcat me një tjetër talent të së ardhmes, si Tyrese Haliburton. Megjithatë, e armdhja e një prej qendrave më të mira në NBA për momentin mbetet tek Phoenix Suns, që do të synojnë edhe njëherë tjetër të mbërrijnë tek ‘Finalet’.