NBA, Telashe para rinisjes, rezultate jo të mira nga testet e lojtarëve

Sport

NBA po bëhet gati për të rinisur sezoni 2019/2020, me një format të ndryshuar që do të përshpejtojë fazën ‘play-off’. Pak ditë më parë, komisioneri Adam Silver konfirmoi se NBA do të t’i qëndrojë planit për të luajtur pjesën e mbetur të sezonit në kompleksin sportiv të ‘Disney’ në Orlando. Por tashmë, drejtuesit janë hasur me të tjera probleme, që në fakt ishin paralajmëruar edhe nga skuadrat apo analistë të ndryshëm. Përpara se të mblidhen në Orlando, skuadrat do t’u nënshtrohen testetve për koronavirusin dhe deri më tani, rezultatet nuk janë aspak të mira. Mediat raportojnë se 7 lojtarë kanë rezultuar pozitiv me virusin Covid-19, mes të cilëve është edhe ylli kryesor i Denver Nuggets, Nikola Jokic. Për momentin nuk kanë dalë emra të tjerë konkretë, por raportimet më të fundit flasin për 2 anëtarë të Phoenix Suns dhe 4 lojtarë të një prej skuadrave të ‘Konferencës së Perëndimit’. Teksa gjatë ditëve të ardhshme priten akoma më shumë testime, NBA mund të hasë në probleme të tjera, pasi nëse do të ketë një numër të konsiderueshëm të lojtarësh të prekur me koronavirusin, atëherë plani i rinisjes do të vihej në diskutim. Për më tepër, skuadra si Nuggets nuk mund të lejojnë të zbresin në parket pa yllin kryesor të ekipit. Kështu, drejtuesit e NBA do të presin fillimisht rezultatet totale që do të sjellin testet për 22 skuadrat që supozohet të vijojnë sezonin, për të shqyrtuar situatën, ndonëse Adam Silver dhe drejtuesit të tjerë të elitës së basketbollit amerikan, për momentin e kanë hedhur poshtë mundësinë që sezoni të mbyllet.