Ndërsa është luajtur pak më shumë se gjysma e edicionit, Rusi 2018 arrin plot rekorde

Sport

world c 2018
Ankth, lot, emocione dhe një sërë rekordesh të arrira, ky është botërori rus që duket se me ndërfutjen e teknologjisë po shkruan një kapitull të ri të futbollit. Dita e 13-të shënoi të parën ndeshje pa gola në këtë edicion të 21-të. Danimark-Francë u mbyll 0-0 duke i dhënë fund një ecurie prej 34 ndeshjesh radhazi me së paku një gol. Një ecuri kaq e gjatë me gola nuk ishte parë kurrë. Në këtë sfidë pati vetëm 4 goditje në kudrat, të katërta prej “Les Blues”, që rezulton të jetë statistika më e ulët në këtë edicion, që ka parë deri më tani më shumë se 100 gola. Gjithsesi kjo sfidë ishte domethënëse për portierin Kasper Schmeichel, ai tejkaloi rekordin e të atit me dy ndeshje në botëror që mban portën e përfaqësueses daneze të paprekur. I ati i tij, legjenda Peter Schmeichel, e pati mbajtur rezultatin të pastër vetëm 1 herë nga 5 përballje.

fifa 18

Penalltia e Gylfi Sigurdsson në përballjen Islandë-Kroaci, qëlloi të ishte e 17-ta e realizuar nga 22 të akorduara deri të martën mbrëma dhe barazoi rekordin e vitit 1998. Një tjetër rekord i barazuar i atij edicioni ishte ai i autogolave. Autogoli i Cheryshev në përballjen Uruguai-Rusi ishte i gjashti, po aq sa 20 vite më parë. Gjithashtu Igor Smolnikov kur u ndëshkua me karton të kuq u bë i pari lojtar që nxirret jashtë për një vend organizator të një botërori që kur Marcel Desailly u përjashtua në finalen e France ’98 kundër Brazilit. Në sfidën Nigeri-Argjentinë, Lionel Messi barazoi rekordin e Maradonës me 6 gola si kapiten i Albicelestes. Interesante është se nga këto 6 gola në botëror, tre ai ia ka shënuar vetëm Nigerisë. Po kështu edhe goli i Rojos, ishte i dyti për të në botëror, dhe gjithashtu edhe i pari qe realizuar ndaj Nigerisë në Brazil 2014-të.