Ndeshjet e së mërkurës në Champions League

Sport

e merkura

Sevilla-Manchester United dhe Shakhtar-Roma janë sfidat e së mërkurës në 1/8-at e Champions League. Vincenzo Montella do të drejtojë për herë të parë në arenën më prestigjioze të Evropës dhe përballë do të ketë Jose Mourinhon me Djajtë e Kuq. Andaluzët me italianin kanë siguruar finalen e Copa del Rey dhe synojnë të vazhdojnë ecurinë pozitive, por gjërat nuk janë dhe aq mirë. Grupi vuan nga lëndimet. Pareja, Jose Mena, Correa, Corchia dhe Nolito janë shqetësimet për Montellan. Por edhe Mourinho ka probleme. Ata janë Pogba, Rashford, Fellaini, Herrera dhe Blind. Sevilla e pret United-in pasi fitoi 2-1 transfertën me Las Palmas në kampionat, ndërsa Djajtë e Kuq vijnë pas fitores 2-0 në Kupë kundër Huddesfield. Po të mërkurën Roma udhëton në Kharkiv të Ukrainës për t’u përballur me Shakhtarin. Skuadra e Di Francescos ka mundur të fitojë 3 ndeshjet e fundit duke dalë disi nga kriza e rezultateve që pati në muajin janar. Lojtari më në formë është turku Under, autor i 4 golave në 3 ndeshjet e fundit. Sfida me Shakhtarin e Paulo Fonsecas pritet të jetë e vështirë. Minatorët kryesojnë kampionatin vendas dhe në Champions janë treguar tejet të fortë pasi ia dolën mbanë në një grup me Napolin e City-in, madje duke i mundur 2-1 anglezët në ndeshjen e fundit. Gonalons për Romën dhe Wellington për Shakhtarin, janë të vetmit në diskutim për dy trajnerët.