Një Shqiptar në La Liga, Sadiku te Levante

Sport

Armando Sadiku

Armando Sadiku, në një kampionat me Messin dhe Ronaldon. Nuk është një iluzion, por një lëvizje e bërë tashmë realitet nga sulmuesi i Kombëtares. Skuadra e Levantes në La Liga zyrtarizoi të mërkurën afrimin e elbasanasit 26-vjeçar, i cili bëhet lojtari i parë i Shqipërisë që luan në La Liga. Spanjollët ranë dakord me Legian për transferimin mbi bazën e gati 1 milionë eurove. Teksa kontrata e firmosur nga Sadiku me Levanten është prej 2 vjetësh e gjysmë.
Ky është një bast I ri për sulmuesin, i cili i jep fund pas vetëm 6 muajsh aventurës te Legia e Varshavës, që në verë pagoi 750 mijë euro për ta marrë nga Lugano. Por në Poloni nuk pati mundësi të shpërthente, me vetëm 7 gola të shënuar. Edhe pse në fillim të janarit u fol për kalimin në Turqi, Sadiku befasoi të gjithë duke pranuar ofertën e Levantes, në orët e fundit të merkatos së janarit. Klubi i uroi mirëseardhjen në gjuhën shqipe, pasi publikoi një video me golat e tij. Aty, sulmuesi kuqezi do të gjejë edhe shqiptaro-maqedonasin, Enis Bardhi, por do të duhet të luftojë për mbijetesë me ekipin që renditet i gjashtëmbëdhjeti në La Liga.