Panucci bën prapakthehu, do t’i lutet sërish Agollit

Sport

agolli
Vetëm disa kohë më parë, trajneri i Kombëtares shqiptare Christian Panucci deklaronte se Ansi Agollit se “do të ishte 38 vjeç kur të niste Europiani i ardhshëm” e vështirë se do t’i hynte më në punë. Mirëpo, mesa duket tekniku i kuqezinjve duhet të “kapërdijë” fjalët e tij, pasi sipas asaj që ka publikuar “Panorama Sport”, burime të sigurta pranë FSHF-së dhe stafit të Kombëtares kanç pranuar se Panuçi ka ndërmend të rikthejë mbrojtësin e majtë midis të grumbulluarve kuqezi për dy sfidat e Ligës së Kombeve kundër Izraelit dhe Skocisë. Gjatë periudhës së fundit, trajneri i Shqipërisë është vënë nën presion të madh, pasi skuadra e tij ka zhgënjyer sidomos në paraqitjet e dy miqësoreve të fundit ndaj Ukrainës dhe Kosovës. Shqetësues duket sidomos fakti që kuqezinjtë kanë zhgënjyer në aspektin e lojës, gjë që ka detyruar trajnerin të mundohet në të gjitha mënyrat për ta kthyer në identitet.

panucci

Pa harruar as që lënia jashtë e disa lojtarëve, të konsideruar si bosht i skuadrës, kanë krijuar një klimë jo fort të qetë. Në këtë prizëm, në objektivin për të qetësuar paksa situatën, përfshihet edhe rikthimi i kapitenit. Faktikisht, Agolli nuk është se ka pasur një fillim të mirë sezoni me Qarabagun. Jo vetëm sa i takon eleminimit të papritur nga turet kualifikuese të Champions League, por edhe në planin personal. Në arenën evropiane, ai u aktivizua për 90 minuta vetëm në ndeshjen e parë kundër Kukësit, ndërsa më pas qëndroi në stol. Po ashtu një ndeshje të tërë ka luajtur edhe në kampionatin azer, që fundjavën e kaluar zhvilloi javën e dytë të tij. Kështu që nuk është se do të vijë me shumë minuta në këmbë. Por deri në fund të këtij muaji përpara shpalljes së grumbullimeve, pritet që Ansi të ketë disa mundësi të tjera aktivizimi.