Paulinho kthehet në Kinë, Barcelona përfiton 50 milionë euro

Sport

paulinho
Paulinho nuk është më një lojtar i Barcelonës. Mesfushori 29-vjeçar do të rikthehet në Kinë, ku do të luajë sërish për skuadrën e Guangzhou Evergrande. Është skuadra kineze që lajmëroi pasditen e së dielës me anë të postimeve në rrjetet sociale, rikthimin e brazilianit në skuadër. Paulinho kalon nga katalanasit tek Guangzhou si huazim me detyrim blerje për 50 milionë euro, rreth 10 milionë më shumë se ajo që Barcelona shpenzoi 1 vit më parë për transferimin e tij nga skuadra kineze.

paulinjo
Largimi i tij nga Barcelona aludohet se ka të bëjë me pakënaqësinë e lojtarit për minutazhin, ndërkohë që në Kinë ai do të përfitojë edhe një rritje të ndjeshmë të pagës. Paulinho zhvilloi 49 ndeshje me fanellën e Barcelonës sezonin që lamë pas. Ai shënoi 9 gola në “La Liga”, duke qenë edhe golashënuesi i tretë më i mirë për Barcelonën.
Në “Camp Nou”, kjo lëvizje për të larguar Paulinho vjen edhe për arsyen se drejtuesit katalanas kërkojnë të përfitojnë një vend për lojtarët jo-evropianë, çfarë i jep dritën jeshile përmbylljes së marrëveshjes me Gremion për mesfushorin brazilian Arthur.