Pezullohet Di Maria, ja ndeshjet që do mungojë argjentinasi

Sport

Kartoni i kuq i marrë në ndeshjen ndaj Monzas, i ka kushtuar rëndë Angel Di Marias. Gjykimi Sportiv i futbollit italian, e ka pezulluar argjentinasin me dy ndeshje nga aktiviteti. Si pasojë, 34 vjeçari nuk do jetë i gatshëm për Juventusin në dy takimet e ardhshme, konkretisht ndaj Bolognas dhe Milanit.

Mëngjarashi do rikthehet në dispozicionin e trajnerit Massimiliano Allegri në mes të muajit tetor, për derbin ndaj Torinos, në atë që do të jetë edhe java e 10-të e Serie A.

Përpara se të kthehej në fushë ndaj Monzas, Di Maria sapo ishte kthyer nga një dëmtim, që e la atë jashtë fushave të lojës për një periudhë thuajse 3 javore, duke humbur në këtë mënyrë edhe dy takime; konkretisht ndaj Sampdorias dhe Romës.

Në fakt, nisur nga statistikat, ky karton i kuq i marrë nga Di Maria nuk mund të konsiderohet edhe aq shumë surprizë. Thënë këtë, gjatë karrierës së tij futbollistike, anësori i sulmit është ndëshkuar me karton të kuq plot 9 herë, 5 prej të cilëve janë të kuq të drejtpërdrejtë, kurse 4 të tjerët si pasojë e dy kartonave të verdhë.

Sa I takon eksperiencës së nisur këtë sezon me Juventusin, Di Maria ka mundur të shënojë një gol, atë të javës së parë ndaj Sassuolos, që në dakt është edhe finalizimi i tij i vetëm në 5 takime të luajtura me ekipin bardhezi. Për argjentinasin, pritshmëritë ishin të mëdha, por duhet thënë se deri më tani, pozitive mund të konsiderohet vetëm nisja e këtij edicioni.

Mirëpo, duke iu referuar aludimeve nga përtej detit, përgjatë kohëve të fundit, mediat flasin për një krisje të marrëdhenies së tij me trajnerin Massimiliano Allegri. E ndoshta një gjë e tillë, mund të ketë ndikuar në angazhimin e futbollistit. Di Maria, ashtu edhe si disa yje të tjerë të skuadrës, është i pakënaqur për mënyrën e lojës që aplikon trajneri livornez.

Deri më tani, Juventusi ka vetëm 2 fitore në 7 javë kampionat. Ndërsa në Champions League, situata duket më e komplikuar. Dy humbje në dy javët e para, e kanë bërë çështjen e kualifikimit shumë të vështirë në Grupin H, megjithëse gara vazhdon të jetë ende e hapur.