Polemikat për golin e anulluar të Bayernit, trajneri Tuchel: Vendim skandaloz

Sport

Nuk kanë munguar polemikat në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale mes Real Madrid dhe Bayern Munich. Teksa Los Blancos ishin duke fituar 2-1, në minutën e 12 të shtesës, arbitri anësor, ndali në mes një aksion të Bayernit për pozicion jashtë loje, aksion nga i cili ekipi gjerman arriti ta dërgonte topin në rrjetë.

Një gjë e tillë nuk i dha mundësi sistemit VAR për të ndërhyrë, kështu që një episod i tillë shkaktoi polemika të shumta pas përfundimit të takimit. Trajneri i Bayernit, Thomas Tuchel, i quajti të tmerrshme vendimet e skuadrës së arbitrave.

“Ishte një vendim skandaloz, i tmerrshëm, që shkon përtej çdo rregulloreje. Gabuan të dy, si arbitri, ashtu edhe anësori. Duket sikur jemi të tradhëtuar për atë çka ndodhi në fushën e lojës. Anësori kërkoi falje, por kjo nuk ndryshon dhe nuk ndihmon asgjë. Flamuri nuk duhej të ishte ngritur në asnjë mënyrë. Pasi ndodhin faktet, nuk ka asnjë justifikim tjetër. Arbitri është në fushë pikërisht për këtë arsye, për të gjykuar në mënyrë të drejtë”, ka thënë Tuchel.

Në të njëjtën linjë mendimi kanë qenë edhe lojtarët e tjerë të Bayern Munich, duke nisur nga Thomas Muller, apo Matthijs De Ligt. Megjithatë, pavarësisht episodeve, në fund, mbrojtësi hollandez është shprehur se Real Madrid e meritoi kualifikimin në finale, atje ku do të ndeshet me Borussia Dortmund.