PSG nuk heq dorë nga Kylian Mbappe

Sport

Kampionit të botës i përfundon kontrata në fund të këtij sezoni futbollistik dhe zërat e merkatos e shohin atë larg kryeqytetit francez, me destinacion Madridin, aty ku mund të bashkohet me Realin.

Megjithatë, mesa duket, në Parc des Princes po bëjnë gjithçka që Mbappe të ndërrojë mendje dhe të vazhdojë aventurën me gjigantët e Ligue 1.

Duke u bazuar këtu në raportimin e mediave të huaja, PSG ka gati 3 strategji në favor të lojtarit, vetëm e vetëm që Mbappe të rinovojë.

Si fillim, klubi me bazë në Paris, është gati që të shesë një yll që e transferoi me shumë bujë, sikurse është Neymar. Me largimin e brazilianit, Mbappe do ketë mundësinë për t’u bërë lideri I grupit. Më tej, taktika e dytë është një merkato dinjitoze. Drejtuesit e klubit janë gati të sjellin në Paris, lojtarët që Mbappe i preferon dhe mes tyre janë bashkëkombasit e tij, Paul Pogba, ose Aurélien Tchouameni.

Më tej, sa i përket taktikës së 3-të, Parisi është i gatshëm t’i ofrojë Mbappesë edhe shiritin e kapitenit. Me fjalë të tjera, parizienët synojnë ta kthejnë kampionin e botës në qendrën e projektit të tyre për vitet në vazhdim. Teksa e ardhmja e Mbappe pritet të qartësohet brenda një kohe të shkurtër, sulmuesi po kalon një moment mjaft të mirë në radhët e Parisit, aty ku përgjatë këtij edicioni futbollistik ka shënuar 32 gola dhe ka kontribuar me 22 asist për skuadrën e drejtuar nga Mauricio Pochettino.