Real Madrid kualifikohet në gjysmëfinale të UEFA Champions League

Sport

Real Madrid kualifikohet në gjysmëfinale të UEFA Champions League. Të martën mbrëma, Santiago Bernabeu ishte dëshimtar i një prej ndeshjeve më spektakolare të këtij edicioni dhe jo vetëm, kur është fjala për kompeticionin më madhështor të klubeve.

Real – Chelsea, nuk mund të prodhonte dot diçka ndryshe. Pavarësisht fitores 3-1 të Los Blancos në takimin e parë në Londër, këtë herë, në kryeqytetin spanjoll, ishte radha e kampionëve në fuqi të Champions League që të shfaqnin potencialin e tyre. Me në krye Thomas Tuchel, miqtë i befasuan të gjithë, teksa deri në minutën e 75 po fitonin me rezultatin 3-0, falë golave të Mason Maunt, Antonio Rudiger dhe Timo Ëerner.

Më pas, pikërisht atëherë kur nuk pritej, Reali u kthye në lojë, falë një pasimi të jashtëzakonshëm nga Luka Modriç, ndërsa Rodrigo e dërgoi topin në rrjetë, duke rikthyer gjithçka në barazpeshë. Deri këtu, rezultati i përgjithshëm ishte 4-4 dhe kjo do të thoshte se për të përcaktuar një fitues, 90 minuta nuk ishin të mjaftueshme.

Në të 6-tën minutë të shtesës së parë, Vinicius shërbeu për Karim Benzema, me francezin që realizoi me kokë, duke e dërguar topin në fundin e rrjetës. Si përfundim, Chelsea fitoi 3-2, por Reali u kualifikua më tej, me rezultatin e përgjithshëm 5-4.

Kjo është gjysmëfinalja e 10-të në 12 edicionet e fundit për Los Blancos, të cilët përgjatë historisë, kanë eliminuar për të 5-tën herë një skuadër kampione në fuqi të Champions League. Në 4 rastet e mëparshme ia kanë dalë që në fund të shapllen kampionë. Këtë sezon, rruga është ende shumë e gjatë, mirëpo nuk ka asnjë dyshim se Real Madrid ndodhet në misionin e kurorës së 14-të europiane.