Reali i Madridit merr në konsideratë ofertën prej 100 milionë eurosh të Juventusit për Ronaldon

Sport

ron
Reali i Madridit ka marrë në konsideratë ofertën prej 100 milionë eurosh të Juventusit për Ronaldon. Ishte ky lajmi i bujshëm që zuri vend në shtypin sportiv ndërkombëtar pasditen e së mërkurës dhe më tej të enjten u shoqërua me plot analiza. 33-vjecari ka shënuar 451 gola me Los Blancos dhe cilësohet lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Në muajin maj ai fitoi titullin e pestë të Champions League-ës, të tretin radhazi me Realin. Por që pas finales së Kievit, te madrilenët ka nisur një valë ndryshimesh. Zidane është larguar dhe shkak për këtë thuhet se kanë qenë mos-dakordësitë me Florentino Perezin, më shumë se sa dëshira për t’i lënë vend ndryshimeve. Pikërisht një dinamikë e tillë marrëdhëniesh të trazuara Perez thuhet se ka edhe me Ronaldon.

ronaldo

Dëshira për t’u paguar më shumë pas objektivave të arritur nuk iu përmbush kurrë dhe ulja e klauzolës nga 1 miliardë në 100 milionë, duket se e ka krisur përfundimisht lidhjen e portugezit me drejtuesin e klubit madrilen. BBC, gazetat AS, Marca, Record, por edhe shtypi italian kanë raportuar me një zë se gjërat janë konkrete, por të komplikuara për t’u arritur. 100 milionë euro do të ishte rekord në Serie-A dhe rekord edhe për Juventusin që do të eklipsonte 90 milionët e shpenzuara për Higuain. Paga më pas është tjetër problem. Nëse arrihet marrëveshje, Ronaldo do të paguhet sa 4-fishi i Higuain, që është dhe më i paguari te bardhezinjtë. Perez në Madrid mund ta shohë si biznes me ujdi, pasi largon një 33-vjecar, me një shumë më të lartë se sa e angazhoi 9 vite më parë, kur e transferoi nga Manchester United, por emri i Ronaldos është shumë më i çmuar për shkak të historisë që ka arritur në Bernabeu.