Rrëfehet Alexis Sanchez; dështimi tek United dhe objektivat e reja

Sport

Alexis Sanchez ishte blerja e fundit e Interit në merkaton verore, me sulmuesin kilian që afrohet në formë huazimi nga Manchester United. Ardhja e tij në Milano ka sjellë jo pak entuziasëm tek tifozët e zikaltërve, që e shohin të ribashkohet me Romelu Lukakun. Në intervistën e tij të parë si lojtar i Interit, Sanchez ka folur rreth objektivave të reja, por gjithashtu është rrëfyer edhe për problemet që pati tek Manchester United. Ndonëse kur u largua nga Arsenali cilësohej si një nga lojtarët më të mirë në ‘Premier League’, Sanchez nuk mundi të lërë shenjë tek ‘djajtë e kuq’, duke bërë që edhe vlera e tij të bjerë ndjeshëm. Gjithësesi, sulmuesi nuk pendohet për zgjedhjen e tij për t’u transferuar tek Manchester United.


“Është klubi që ka fituar më shumë në Angli. Doja të isha pjesë e tyre dhe të fitoja çdo gjë, por nuk funksionoi. Isha i lumtur në Manchester, por kisha nevojë të luaja. Në një ndeshje luaja të paktën 60 minuta dhe në takimin tjetër nuk merresha në konsideratë. Ishte e pashpjegueshme.”
Sanchez është kritikuar për formën e tij, pasi shumë tifozë apo ish-lojtarë të ‘Premier League’ mendonin se kilianit i interesonte vetëm kontrata e majme që firmosi me Manchester United. Por sulmuesi hedh poshtë çdo gjë duke thënë se dëshira e tij e vetme është të luaj sa më shumë dhe tek United kishte probleme që ai nuk ia doli dot kurrë t’i kuptonte. Por për të tashmë nis një aventurë e re, në një kampionat që gjithashtu ai e njeh mjaft mirë. Sanchez beson se Interi ka skuadrën dhe trajnerin e duhur për të rivalizuar Juventusin, ndërsa në ‘Champions League’, zikaltërit mund t’i befasojnë të gjithë.