Rusi 2018, bastet e çuditshme të botërorit

Sport

boterorsdsd

Nga kafshimi i Suarez e deri tek trajneri i parë që shkarkohet. Kompanitë sportive gjithmonë kanë prodhuar baste nga më të çuditshmet në prag të një eventi gjigand të futbollit si botërori.
Në “Rusi 2018”, një kafshim i Suarez ndaj një kundërshtari kuotohet me koefiçentin 401. Uruguajani ka 3 precedentë të mëparshëm në karrierë, më e famshmja ajo ndaj mbrojtësit të Italisë, Giorgio Chiellini.
Nëse dikush mendon se gjatë botërorit, një lojtar do të shënojë nga gjysmëfusha e tij, atëherë kompanitë ofrojnë një koefiçent joshës, 51.5. Irani, Arabia Saudite dhe Panamaja shihen si skuadrat më pak favorite. Një bast se asnjëra nga këto kombëtare nuk shënon as edhe 1 gol, vlerësohet me koefiçentin 101.
Kartonët e kuq janë një statistikë që u ka takuar kryesisht skuadrave nga Amerika e Jugut. Brazili dhe Argjentina janë kuotuar si skuadrat që mund të marrin më shumë kartona të kuq dhe vlerësohen secila me koefiçentin 21. Por cili do të jetë lojtari i parë që do të marrë një ndëshkim të tillë nga gjyqtari përgjatë “Rusi 2018”?! Mbrojtësi Filipe Luis i Brazilit shihet si më favoriti me koefiçentin 51. Sergio Ramos dhe Pepe vijnë menjëherë pas tij, përkatësisht me koefiçentët 56 dhe 61.
Një bast tjetër i veçantë është edhe ai se cili lojtar nuk do të kontrollojë nervat dhe do të shfaqë veprime të cilësuara si të dhunshme. Neymar është nga ata që ka probleme në këtë pjesë dhe shihet si më favoriti me koefiçent 36. Pas tij vijnë Suarez dhe Diego Costa me koefiçent 41. Si përfundim, edhe për trajnerët, “bookmarkers”-at kanë menduar diçka. Kompanitë e basteve ju ftojnë të parashikoni se cili nga trajnerët e pranishëm në Rusi do të jetë i pari që do të pushohet nga puna. Gareth Southgate, tekniku i Anglisë kuotohet me koefiçentin 16, duke parë precedentët e mëparshëm në stolin e “tre luanëve”. Roberto Martinez i Belgjikës vlerësohet me koefiçentin 21, Jorge Sampaoli i Argjentinës 26 kurse Ange Postecoglou i Australisë dhe Jose Pekermam i Kolumbisë me 31.