Serie A/ Fitore me rekord historik nga Atalanta, humbje befasuese nga Lazio

Sport

Atalanta e ka lënë pas krahëve humbjen ndaj Lazios një javë më parë dhe është rikthyer menjëherë në rrugën e fitoreve. Një gjë të tillë, skuadra nga Bergamo e ka bërë një transfertë ndaj Empolit, me rezultatin 2-0.

Golin e parë të sfidës e realizoi Hateboer në minutën e 32, përpara se Koopmeiners të gabonte një penallti 10 minuta më vonë, duke shpërdoruar një mundësi mjaft të mirë për të dyfishuar shifrat.

Megjithatë, të besuarit e Gianpiero Gasperinit nuk u dorëzuan. Në të 59-tën, Lookman e dërgoi topin në fundin e rrjetës, duke e vendosur skuadrën zikaltër në një pozicion komod të ndeshjes. Si pasojë, kjo ishte fitorja e 8-të sezonale për Atalantën në 12 javët e para të kampionatit, një rekord, që nuk e kishte arritur asnjëherë më histori. Në këto rrethana, ekipi zikaltër renditet në vendin e dytë të tabelës së kasifikimit në kuotën e 27 pikëve, 5 më pak sesa Napoli kryesues.

Më tej, një humbje befasuese ka pësuar Lazio. Të kaltërit u mposhtën në shtëpi me rezultatin 3-1 nga skuadra e Salernitanës. Ndonëse Zacagni kaloi vendasit në avantazh në minutën e 41 të pjesës së parë, duke krijuar idenë e fitores së radhës, nuk do të ndodhte kështu.

Në pjesën e dytë, miqtë, u rikthyen me të tjera ide në fushën e lojës. Në të 51-tën, Antonio Candreva riktheu shifrat në ekuilibër. Ky ishte goli i parë në karrierë që Candreva i shënon Lazios, në 1178 minuta të luajtura kundër të kaltërve në Serie A. Jo vetëm kaq, por Candreva theu në edhe rekordin e portierit të Lazios, Provedel, i cili kishte 620 mintua që nuk pësonte gol në kampionat.

Më pas, Fazio në të 68-tën dhe Dia në të 76-tën realizuan dy golat e radhës për ekipin mik, që me këtë fitore ngjitet në vendin e 10-të në kuotën e 16 pikëve, ndërsa Lazio mbetet në vendin e 4 në kuotën e 24 pikëve.