Serie A, Juventus, Allegri ndal euforinë para ndeshjes me Sassuolo-n

Sport

Vendi i dytë dhe ende të pamposhtur… Nisja e sezonit në ‘Serie A’ po shkon në mënyrën e duhur për Juventus-in e Massimiliano Allegri-t, me 3 fitore dhe 1 barazim pas katër javëve të para, çfarë i mbajnë bardhezinjtë vetëm 2 pikë larg kryesuesve të Interit. Tek klubi torinez, gjërat kanë filluar të shihet me shumë optimizëm, por ai që është siguruar të ulë këtë entuziasëm, është trajneri Massimiliano Allegri. Tekniku livornez mendon se nuk ka vend për diçka të tillë, teksa kërkon gjithë vëmendjen e lojtarëve të tij, tek transferta e ndërlikur ndaj Sassuolo-s.
“Duhet të ngremë lart antenat sepse shoh që ka shumë euforizëm. Nga njëra anë kjo është diçka e mirë, por nga ana tjetër na ul energjinë dhe përqëndrimin. Jemi vetëm ne nisje të kampionatit. Kundër Sassuolo-s kanë qenë gjithmonë ndeshje shumë të luftuara dhe ata vijnë nga një humbje e rëndë. Prandaj them se do të gjejmë një skuadër të karikuar, me dëshirën për t’i ringritur. Duhet të jemi të kujdesshëm, agresivitet fizik dhe shumë teknikë.  Nëse do të marrim rezultat ndaj Sassuolo-s, atëherë për ne do të jetë shumë e rëndësishme. Shumë kanë pyetur për rotacionin, por për momentin mendoj vetëm për sfidën ndaj Sassuolo-s, e më pas do të vlerësoj mundësitë. Nuk di të them nëse mungesa në ‘Champions’ për ne është një avantazh apo disavantazh. Kjo varet nga mënyra se si e sheh. Ama ajo që di është se Juvja duhet të luajë në ‘Champions’ vitin e ardhshëm. Jemi në rrugën e duhur sa i përket objektivave që i kemi vendosur vetes dhe këtu flas për renditjen mes katër më të mirëve në kampionat. Forca e një skuadre dhe e një klubi është tek ruajtja e ekuilibrave, sepse në këtë mënyrë vijnë edhe rezultatet. Ekipi është shumë i pjekur dhe kjo më ndihmon mua për të ruajtur këto balanca, por kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për përmirësim.”
Sa i përket individëve, Allegri u shpreh se është i lumtur me lojtarët që ka në dispozicion në fazën e sulmit. Vlahovic e Chiesa po bëjnë mirë, ndonëse vetë trajneri mendon se të dy kanë ende punë për të nxjerrë më të mirën nga potenciali i tyre. Ndërkohë që Moise Kean dhe Milik janë shfaqur po ashtu mjaft mirë, duke i dhënë mundësinë teknikut të bardhezinjve për të menduar për zgjidhje të ndryshme në një kalendar kaq të ngjeshur.