Serie A, Juventus e Atalanta ndajnë pikët mes spektaklit; Roma nuk gabon as ndaj Spezia-s

Sport

6 gola, spektakël, emocione… dhe në fund barazim. Kjo është pasqyra e përballjes mes Juventus e Atalanta në Torino, që u mbyll me rezultatin 3-3, në një nga ndeshjet më të bukura të ‘Serie A’ në këtë sezon. Arkadiusz Milik dhe një dopietë e Angel Di Maria firmosën golat e bardhezinjve, ndërkohë që tek Atalanta, rrugën e rrjetës e gjëtën Joakim Maehle dhe dy herë Ademola Lookman. Ky i fundit konfirmohet si njeriu i momentit tek bergamaskët, duke futur veten në garën për golashënuesin më të mirë, me 11 realizime. Lookman u bë po ashtu lojtari i katërt në historinë e Atalantas që ia del të shënojë të paktën 10 gola, në 19 ndeshjet e para të sezonit debutues me këtë skuadër. Ndërkohë që pika më e fortë e Juventus deri në dy javët e fundit tashmë është dorëzuar. Mbrojtja e bardhezinjve ka pësuar 8 gola në dy ndeshjet e fundit të kampionatit italian, diçka që nuk ndodhte që nga nëntori i 1988-ës dhe si për ironi të fatit, edhe në atë kohë Napoli i shënonte 5 gola në një nga sfidat. Po ashtu, kjo ishte hera e 8 në 12 ndeshjet e fundit mes Juventus dhe Atalantës që përfundon në barazim. Secila skuadër ka fituar nga 2 takime ndaj kundërshtarëve, teksa asnjë sfidë tjetër në elitën e futbollit italian nuk prodhon kaq shumë barazime që nga 2017-a.

Ka bërë detyrën edhe skuadra e Romës, që nuk gaboi në transfertën me Spezia-n, duke triumfuar 2-0. Stephan El Shaaraëy dhe Tammy Abraham u asistuan nga Paulo Dybala për të marrë 3 pikët e radhës. Argjentinasi e sheh veten të përfshirë në të paktën 10 gola në 13 ndeshje me Romën dhe që nga sezoni 2004/2005, asnjë lojtar i verdhekuqve nuk e ka realizuar kaq shpejt diçka të tillë. Roma tashmë është ngjtiur në vendin e katërt të renditjes, që të çon në ‘Champions League’, në kuotën e 37 pikëve, 2 më shumë se sa Atalanta e vendit të pestë, ndërkohë që Lazio, ka një distancë prej 3 pikësh, por ende nuk e ka luajtur ndeshjen e javës së 19, kundër Milanit të Stefano Piolit.