Serie A, Juventus, Zaniolo jep sinjale të qarta për merkaton

Sport

Nicolo Zaniolo dëshiron transferimin tek Juventusi. Sulmuesi italian ka bërë deklarata të rëndësishme në intervistën e tij të fundit, ku është pyetur edhe rreth të ardhmes së tij. I shpallur kampion i Turqisë me Galatasaray-n, Zaniolo ka provuar gjatë muajve të kaluara në Stamboll se ka ende shumë për të dhënë në futbollin elitar, teksa në ‘SuperLiga’-ën turke ia doli të shënonte 5 gola në 10 ndeshje të zhvilluara. 23-vjeçari ka folur me superlativa për Juventusin, duke u shprehur se me ose pa pjesëmarrjen e skuadrës në ‘Champions League’, klubi bardhezi mbetet një nga më të mëdhenjtë dhe sipas tij, për çdo lojtar e ka të vështirë t’i thotë ‘jo’ një oferte nga torinezët. Sulmuesi është shprehur se nuk është marrë me merkaton, pasi për këtë kujdesen përfaqësuesit e tij, por aktualisht është i lumtur tek Galatasaray dhe nëse do të ndodhë që për të gjatë kësaj vere do të ketë oferta, ai do të pranojë të largohet vetëm për një propozim të rëndësishëm. Zaniolo e shpjegoi këtë gjë duke thënë se për të është e rëndësishme që edhe klubi turk të përfitojë sa më shumë nga një largim i mundshëm i tij, si një shpërblim për besimin e madh që ata kanë shfaqur gjatë këtyre muajve. Ai shtoi se në Stamboll ka gjetur njerëz të mrekullueshëm, nga të cilët ka mësuar shumë dhe që e kanë bërë të ndihet si në shtëpi, teksa ka zbuluar edhe pasionin e madh të qytetit për futbollin. Për Zaniolon, Roma mbetet një nga etapat më të rëndësishme të karrierës së tij, ku ia doli të shënonte disa arritje me shumë peshë, teksa nuk harroi të vlerësonte të gjithë drejtuesit e kryeqytetasve italianë. Pavarësisht largimint të papritur nga Roma gjatë janarit, Zaniolo ruan një vlerësim të madh edhe për trajnerit Mourinho, që zbulon se pyet për të me anë të shokut të skuadrës tek Galatasaray, portugezit Sergio Oliveira. Megjithatë, Roma tashmë i përket  së shkuarës dhe Zaniolo duket gati për të shfrytëzuar një mundësi tjetër në futbollin elitar, me Juventusin që mbetet dëshira e tij e madhe, duke qenë se sulmuesi ka qenë një tifoz i madh i bardhezinjve që në fëmijëri. Tani është radha e torinezëve të bëjnë lëvizje konkrete në drejtim të Zaniolos, edhe pse për momentin, transferimi i tij nuk duket të jetë një mision i lehtë.