Serie A, Milan, Leao flet si lider dhe premton gjëra të mëdha për sezonin e ri

Sport

Rafael Leao është padyshim lojtari më i rëndësishëm i Milanit të Stefano Pioli-t në vitet e fundit, me portugezin që pritet të luajë një tjetër rol të rëndësishëm në sezonin e ri. 24-vjeçari ka qenë mes lojtarëve që kanë pushuar më shumë se pjesa tjetër e ekipit, për shkak të angazhimeve ndërkombëtare, por tashmë është rikthyer pranë kuqezinjve, madje duke shfaqur edhe një formë të mirë fizike. Sulmuesi ka bërë një rrëfim të gjatë për ‘Gazzetta dello Sport’ për gjithçka që ka kaluar deri më tani tek Milani, teksa nuk u shmangën edhe pyetjet për objektivat.

Leao shprehet se gjithmonë ka menduar vetëm për klubin ku luan aktualisht, prandaj rinovimi në të vërtetë nuk është vënë në diskutim e madje synimi i tij është të jetë kuqezi për një kohë të gjatë. Ai e pranoi se është befasuar nga largimi i Tonali-t e sidomos i Maldini-t, për të cilin portugezi flet me superlativa, duke e cilësuar si njeriun që i besoi më shumë dhe e ndihmoi të rritet brenda e jashtë fushe. 24-vjeçari komentoi edhe merkaton e Milanit deri më tani, duke veçuar emra si Pulisic, Loftus-Cheek apo Reijnders, si lojtarë shumë të fortë, që mund të bëjnë diferencën dhe që e ndihmojnë skuadrën pikërisht aty ku ekipi ka patur më shumë nevojë.

Objektivat e Milanit gjithmonë ka qenë të rëndësisë së lartë, por Leao kërkon që tifozët të besojnë gjithnjë e më shumë tek forca e skuadrës. Sipas portugezit, të gjithë janë duke punuar për të kuptuar sa më mirë idetë e trajnerit, teksa synim mbetet ylli i dytë në fanellë. Në rast se Milani do e realizojë një gjë të tillë, Leao premton se do të bëjë tatuazh dy yjet për nder të ‘Scudetto’-s. Megjithatë, ai e pranon se ëndrra e çdo futbollisti mbetet trofeu i ‘UEFA Champions League’. Sulmuesi është i ndërgjegjshëm se ky është një mision i vështirë për t’u arritur, por ai mendon se skuadra e ka provuar që me punë, hap pas hapi, mund të bëjnë gjëra të mëdha. Tani ai ndihet akoma më shumë një lider i ekipit dhe me numrin 10 në fanellë, u premton tifozëve gjëra të mëdha për sezonin e ri futbollistik.