Serie A, Milan, Leao kërkon të qëndrojë, por klubi duhet të investojë 60 mln euro

Sport

Rafael Leao kërkon të qëndrojë tek Milani. Kjo është pranuar jo vetëm nga burime pranë lojtarit portugez, por edhe nga drejtori i Milanit, Paolo Maldini. Talenti i kuqezinjve synon të bëhet një lider në radhët e kampionëve të Italisë dhe refuzimi i ofertës së Chelsea-t gjatë verës, tregon shumë për përkushtimin e Leaos ndaj këtij projekti. Kur kanë mbetur edhe 2 vite kontratë me Leaon, Maldini e Massara kanë nisur bisedimet për të zgjatur bashkëpunimin, mirëpo për gjetjen e një akordi nuk është e lehtë. Leao me të drejtë kërkon që të ketë një pagë si ‘top player’, por tek Milani e kanë disi të limituar buxhetin e pagave. Anësori thuhet se synon 6 milionë euro në sezon, për një kontratë 5-vjeçare me Milanin.

Kuqezintjë janë të prirur për tja plotësuar kërkesat 23-vjeçarit, por në skenë hyn edhe çështja e hapur e Leaos me Sportingun e Lisbonës. Në gushtin e 2018-ës, sulmuesi shfrytëzoi trazirat në radhët e klubit portugez, për t’u larguar me parametra zero drejt Lille, duke ndërprerë në mënyrë të njëanshme kontratën me Sportingun. Lojtari ka humbur gjyqin ndaj ish-skuadrës së tij dhe tani i detyrohet t’i paguajë 19 milionë euro dëmshpërblim, duke llogaritur këtu edhe komisionet e vonesave.

Agjenti i Leao-s, Jorge Mendes, synon që këtë faturë t’ja ngarkojë Milanit, që deri më tani ka mohuar të përfshihet në këtë çështje. Megjithatë, mediat në Portugali kanë zbuluar se Maldini ka patur takime me përfaqësues të Sportingut të Lisbonës, me synimin për të gjetur një marrëvshje e për të ulur kërkesat e dëmshpërblimit nga ana e luzitaënve. Arritja e një akordi për këtë pjesë duket larg dhe tek Milani duhet të bëjnë mirë llogaritë nëse kërkojnë të rinovojnë kontratën me Leaon. Nëse kampionët e Italisë do të vendosin të besojnë deri në fund tek sulmuesi portugez, atëherë klubi do të duhet të investojë 65 milionë euro, që Leao të mbetet pjesë e skuadrës së trajnerit Pioli. Këtu, llogaritet paga e 5 viteve për lojtarin, bonuset, komisionet e agjentit Mendes dhe dëmshpërblimi që duhet t’i paguhet skuadrës së Sportingut. Drejtuesit e Milanit do të bëjnë takime të tjera të rëndësishme përpara se të merret një vendim final, por dëshira e të gjitha palëve është që Rafael Leao, të vijojë të mbajë veshur fanellën e kampionëve në fuqi të Italisë.