Serie A, tifozeria e Fiorentinës ka dalë kundër logos së re

Sport

Vetëm pak ditë më parë, drejtuesit e Fiorentinës prezantuan logon e re të klubit, në atë që vetë ata e konsideruan si një epokë e re për skuadrën nga Firenze.

Projekti i presidentit Rocco Commisso në fakt e kishte paralajmëruar diçka të tillë, mirëpo tifozët ultras të violëve kanë dalë kundër. Me anë të postimeve në rrjetet sociale, tifozeria e Fiorentinës ka dalë kundër logos së re të vendosur nga drejtuesit, duke pretenduar se e gjitha bëhet vetëm për interesat e marketingut në tregun amerikan. Në reagimin e tyre, ata janë shprehur se drejtuesit duhet të kuptojnë se po flasin për futbollin italian dhe jo atë amerikan. Prandaj çdo tifoz që ka disa vlera në zemrën e tij, do t’i thotë ‘jo’ logos së re. Sa i përket shprehjes se drejtuesve për nisjen e një epoke të re, tifozët kanë vendosur një baner në sektorin e ultrasve në stadiumin ‘Artemio Franchi’, ku shkruhej se: “përpara se të ndërrohet historia, duhet që fillimisht ta shkruani atë”.

‘Luajmë që të jemi ndryshe’, është slogani i fundit i prezantuar nga drejtuesit e Fiorentinës, që shtonin se logo e re është frymëzuar nga ajo e viteve ’50. Pavarësisht kundërshtimit të tifozëve, vështirë se Rocco Commisso dhe njerëzit e tij do të tërhiqen nga kjo nismë e marrë dhe ultrasve violë, nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të pranojnë këtë ndryshim tek skuadra e tyre e zemrës.