Serie A, Torino, Juric përplaset ashpër me Vagnati, por ky i fundit sqaron situatën

Sport

Largimet e yjeve kryesorë të skuadrës në sezonin e shkuar dhe një merkato e dobët në hyrje duket se janë arsyet që kanë bërë të shpërthejnë tensionet në kampin e Torinos. Një video e publikuar në rrjetet sociale kanë sjellë një përplasje të ashpër verbale e fizike mes trajnerit Ivan Juric dhe drejtorit të klubit ‘granata’, Davide Vagnati. Nga ajo që kuptohet në video, debati mes të dyve kishte nisur përpara se të mbërrinin tek qendra ku është mbledhur skuadra. Të dy kanë ofenduar me tone të larta njëri-tjetrin, teksa ka patur edhe shtytje nga të dyja palët. Një person i tretë, pjesë e stafit të ekipit, është përpjekur të ndërhyjë dhe të ulë gjakrat, por kjo dukej thuajse e pamundur kur dëgjon klithmat e Vagnati-t dhe ofendimet e Ivan Juric. Tekniku kroat thuhet të jetë i pakënaqur nga lëvizjet në merkato të skuadërs dhe ka kërkuar llogari tek drejtori Vagnati. Ky i fundit, dëgjohët t’i thote Juric se ai ka për detyrë vetëm të stërvisë, ndërsa për ndërtimin e skuadrës, vendos vetë Vagnati.

Drejtori i Torinos ka dalë disa orë më pas me një deklaratë ku sqaronte gjithçka rreth përplasjes së tij me trajnerin Juric. Ai është shprehur se nuk ka qenë një situatë normale kur e sheh nga jashtë, por të dy kanë biseduar më pas për gjithçka dhe kanë gjetur mirëkuptimin e njëri-tjetrit. Pra, pavarësisht asaj që paraqet video e publikuar në rrjetet sociale, gjërat nuk janë më të tensionuara dhe të gjithë po punojnë për të bërë më të mirën për Torinon. Klubi ‘granata’ ka humbur gjatë kësaj vere disa nga yjet e sezonit të shkuar. Andrea Belotti nuk e rinovoi kontratën dhe u largua si lojtar i lirë, ndërkohë për Josip Brekalo nuk u bënë përpjeket e duhura për ta mbajtur në skuadër, pasi luante si i huazuar nga Wolfsburg. Për më tepër, Juric vuan edhe largimin e Bremer, për kartonin e të cilit Torino përfitoi thuajse 50 milionë euro.