Shtohen problemet për Interin, dëmtohet Marcelo Brozoviç

Sport

Sikur të mos mjaftonte momenti i vështirë që Interi po kalon në këtë fazë të sezonit, një tjetër problem i është shtuar organikës zikaltër. E madje serioz. Marcelo Brozoviç është dëmtuar. Në ndeshjen e Nations League ndaj Austrisë, mesfushori kroat ka pësuar një tërheqje muskulore, çka e detyroi atë të dilte nga fusha e blertë.

Në këtë situatë, sikurse raportojnë mediat përtej detit, Brozoviç do mungojë nga 3 deri në 4 javë, ndonëse të gjithë janë në pritje të një raporti më të specializuar, pasi të kryhen edhe disa ekzaminime më të hollësishme.

Sidoqoftë, mundësitë janë tepër të mëdha, që Brozoviç të mungojë në disa ndeshje të rëndësishme këtë periudhë për Interin. Në sfidën ndaj Romës në Olimpico, kroati nuk do jetë i gatshëm për arsye skualifikimi. Mirëpo, mungesa e tij pritet të ndihet ndjeshëm në takimin ndaj Barcelonës në Champions League. Dy sfidat e njëpasnjëeshme ndaj katalanasve konsiderohen vendimtare për çështjen e kualifkimit të Interit përtej fazës së grupeve të UEFA Champions League.