SILVINHO NEPER EVROPE, TAKOHET ME LOJTARET E KOMBETARES

Sport

Impenjimet e ardhshme të Shqipërisë po afrohen, prandaj trajneri i Kombëtares, Sylvinjo nuk dëshirpon të kapet i papërgatitur. Braziliani ka nisur prej disa ditësh një tur nëpër Europë për të vëzhguar në aksion lojtarët që ka në planet e tij. Ky tur është konsideruar tejet i vlefshëm për teknikun që ka mundësi të shohë nga afër gjendjen e disa prej lojtarëve kontigjent i përfaqësueses. Nga Portugalia në Spanjë… për ta mbyllur me Italinë, duke kaluar gjithashtu edhe nga Zvicra: pikërisht ky ka qenë itinerari i brazilianit bashkë me ndihmësit e tij.

Javën e kaluar tekniku udhëtoi në Portugali për të parë Enea Mihajn, që me Famalicaon e tij u përball ndaj Portos. Tekniku, jo vetëm e ka ndjekur mbrojtësin, por edhe e ka takuar. Gjithashtu, po javën e kaluar bashkë me ndihmësin Pablo Zabaleta, braziliani ndoqi ndeshjet e Granada dhe Espanyol në Spanjë, për të parë nga afër Uzunin dhe Baren. Me të dy lojtarët kanë diskutuar edhe për situatën që po kalojnë me klubet e tyre dhe ndeshjet e ardhshme të Kombëtares.

Të dielën trajneri së bashku me ndihmësin tjetër, Doriva Junior ishin në Zvicër ku shikuan Grasshopersin e Abrashit, i cili u aktivizua për 90 minuta dhe gjithashtu pas takimit takoi teknikun Sylvinho.

Prej pak ditësh, trajneri kuqezi ndodhet në Itali, vend ku është edhe kontigjenti më i madh i lojtarëve të kombëtares. Në axhendë janë takimet me Elsi Hysaj, Kristjan Asllanin, Berat Gjimshiti, apo Etrit Berishën. Pa harruar edhe vëzhgimin e mesfushorit Nedim Bajrami, i impenjuar të hënën në ndeshjen Sasuolo-Bolonja, ku luajti 24 minuta si zëvendësues.

Silvinjo bashkë me stafin e tij vazhdojnë kështu me intensitet punën para-përgatitore për ndeshjet e qershorit, kur Shqipëria do të sfidojë Moldavinë dhe Ishujt Faroe, duele të rëndësishme në kualifikueset e Europianit.