Spanjë, Mbyllet çështja ‘Champions’, Sevilla paguan 25 milionë euro për Suson

Sport

Humbja e Villareal ndaj Real Sociedad në javën e 36 të ‘La Liga’-s i ka dhënë fund çështjes së skuadrave që do të luajnë në ‘Champions League’ në sezonin e ardhshëm. Përveç Real Madrid e Barcelona, që vijojnë betejën e tyre për titullin kampion, dy skuadrat e tjera janë Atletico Madrid e Sevilla. Kjo e fundit do të bëjë në fakt një rikthim në elitën e Europës, ndërkohë që kjo do të shoqërohet edhe me disa fatura të larta për t’u paguar. Në fillim të sezonit apo edhe në merkaton e janarit, Sevilla ka nënshkruar me disa lojtarë, ku ka patur një klauzolë për blerjen e detyrueshme apo rritjen e çmimit të disa lojtarëve. I tillë është rasti i Susos. Sulmuesi anësor erdhi në formë huazimi nga skuadra e Milanit, por me arritjen në ‘Champions’, andaluzianët janë të detyruar të blejnë kartonin e lojtarit nga kuqezinjtë për shifrën e 25 milionë eurove. Suso ka kërkuar prej kohësh të jetë pjesë e kompeticionit më të rëndësishëm për klubet europiane dhe tek Milani, ai nuk e arriti diçka të tillë për shkak të vështirësive të klubit milanez. Tek Sevilla deri më tani nuk është se ka qenë një protagonist absolut, por prezenca në ‘Champions League’ i bën drejtuesit e Sevillas që të nxjerrin më të mirën e mundshme nga lojtarët e tyre në sezonin tjetër. Sa i përket 2019/2020-ës, 3 skuadra spanjolle vijojnë të jenë pjesë e ‘Champions League’-ës. Atletico Madrid ka siguruar biletën e çerekfinales, ku do të luajë me Leipzig, ndërkohë që Real Madrid e Barcelona, duhet të mbyllin edhe sfidat e kthimit të 1/8-ave, përkatësisht përballë Manchester City dhe Napolit.