Tare grindet me drejtuesit e St. Etienne

Sport

 

202969-Lazio-v-AS-Saint-Etienne
Momente nervash ka pasuar ndeshjen Lazio – St. Etienne në Europa League, e përfunduar me rezultatin 3-2 për italianët. Shtypi francez ka raportuar se drejtuesit e St. Etienne, të zhgënjyer nga arbitrimi, janë grindur me drejtuesit e Lazios. Sipas prestigjiozes L’Equipe, Presidenti i klubit St. Etienne Bernard Caiazzo i është ankuar Drejtorit Sportiv të Lazios, Igli Tares, për mënyrën sesi e arbitroi ndeshjen turku Ozkahya.

Francezët në Olimpico, edhe pse shënuan të parët, e panë veten të përmbyseshin në 3 me 1. Sikur të mos mjaftonte kjo, për secilën pjesë, arbitri Ozkahya ndëshkoi me kartonë të kuq Robert Beric dhe Moustapha Sall.
Për këtë Caiazzo, i cili e ka cilësuar ndeshjen një turp të futbollit evropian, thuhet se është grindur me Taren, ku ky i fundit thuhet të mos ketë rënë dakord me pretendimet e francezit. Madje në grindjen me të thuhet të jetë përfshirë edhe trajneri i St. Etienne Christopher Galtier.
Nga francezët është thënë se ata nuk do të ndiheshin aspak të kënaqur nëse do të fitonin në të njëjtën mënyrë sikurse fitoi Lazio ndaj tyre. Por gjithsesi kjo nuk ia zbeh 3 pikët Lazios, që pas kësaj fitore mori kryeismin e Grupit G.