Tenis, Djokoviç dhe Nishikori vazhdojnë rrugëtimin në ‘US Open’, fiton edhe Keys

Sport

nv djk
Novak Djokoviç nuk e kishte shumë të vështirë të siguronte gjysmëfinalet e këtij viti në ‘US Open’, teksa mundi 3-0 me sete australianin John Millman, i cili nuk ia doli dot të realizonte një mrekulli tjetër, siç bëri kundër Roger Federer. Djokoviç dominoi takimin dhe u kujdes edhe që të mos shpenzonte shumë energji, duke u mjaftuar me nga një ‘game’ të marrë me break ndaj kundërshtarit të tij.  Në gjysmëfinale, serbi do të përballet me japonezin Kei Nishikori. Ky i fundit arriti një fitore mjaft të vuajtur me rezultatin 3-2 me sete ndaj kroatit Marin Ciliç. Ciliç fitoi setin e parë 6-2, kurse Nishikori u kundërpërgjigj në dy setet e ardhshme, të fituara me rezultatet 6-4 dhe 7-6.

nishikori

Ciliç do të barazonte shifrat me fitoren 6-4 të setit të katërt, ndërsa në atë final, japonezi Nishikori ishte shumë më i saktë, duke triumfuar 6-4. Lodhja ndikoi tek të dy tenistët, të cilët dueluan me njëri-tjetrin për 4 orë e 12 minuta.  Tek femrat, Naomi Osaka arriti gjysmëfinalen e parë në karrierën e saj në një turne të rëndësishëm, pasi mposhti 2-0 me sete ukrainasen Lesia Tsurenko. Sfida zgjati më pak se 1 orë, me Osakan që i fitoi lehtësisht të dyja setet me shifrat 6-1. Fitore e rëndësishme edhe për Madison Keys, që mundi 2-0 një kundërshtare aspak për t’u nënvlerësuar si Carla Suarez Navarro, e cila më herët pati eleminuar Maria Sharapovën.