Topi i Artë i shkon Ronaldos, barazon Messin në një dhjetvjeçar të dominuar prej tij dhe argjentinasit

Sport

ronaldoe
Nuk kishte surpriza, Cristiano Ronaldo u vlerësua për herë të pestë me çmimin e Topit të Artë. Pas një viti të jashtëzakonshëm futbollistik, portugezi barazoi kështu rivalin e përhershëm të këtij dhjetëvjeçari, Lionel Messin. Në këtë garë la sërish prapa argjentinasin dhe brazilianin Neymar. Në një ceremoni fantastike të organizuar në Paris, revista prestigjioze France Football ia përcolli çmimin nën dritat dhe madhështinë e kullës Eiffel. 32-vjeçari qe shpallur një muaj më parë lojtari më i mirë FIFA, vlerësim ky tashmë i ndarë nga cmimi i Topit të Artë. Sezoni 2016-2017-të, pa Ronaldon të vinte pas një kampionati Evropian dhe të shënonte plot 42 gola në 46 ndeshje. Champions-League, Super-Kupë Evrope, Kupë Bote për klube dhe kampionat, shënuan për herë të parë për Los Blancos kaq shumë trofe vetëm në një sezon. “Një tjetër ëndërr bëhet realitet. Ndjesi të pabesueshme. Falenderoj familjen, miqt, shokët e skuadrës, trajnerët, gjithkënd që ka qenë përkrah meje gjatë këtyre viteve” – shkroi në twitter-in e tij Ronaldo. Viti 2017-të shënon fiks 10 vite që kur fituesi i fundit i çmimit të Topit të Artë nuk ka qenë as Ronaldo dhe as Messi, por Kaka, i cili është i vetmi që ka triumfuar përballë tyre deri më tani. Ky ka qenë një dhjetëvjeçar totalisht i dominuar nga portugezi dhe argjentinasi, të cilët janë vlerësuar edhe kur në garë kanë qenë përballë kampionëve të botës si Iniesta, Xavi, apo Neuer.