Transferimet e shtrenjta të Liverpool, Jurgen Klopp pendohet për deklaratat e mëparshme

Sport

Jurgen Klopp pendohet për fjalët e thëna vite më parë në lidhje me transferimin e lojtarëve në shifra mbi 100 milionë euro. Në 2016-tën, kur Manchester United siguroi shërbimet e Paul Pogba, pikërisht për 100 milionë euro, tekniku gjerman nuk i kurseu kritikat mbi tregun e futbollistëve, duke thënë se ditën që ai do e bëjë një gjë të tillë, atëherë do të largohet nga profesioni i trajnerit.

Mirëpo, kjo verë, është e dyta radhazi që Liverpooli transferon një futbollit me vlerë mbi 100 milionë euro. Një vit më parë ndodhi me Darwin Nunez, ndërsa këtë herë me Moises Caicedo, shërbimet e të cilit u siguruan nga Brighton për rreth 130 milionë euro, një shifër transferimi rekord kjo në Premier League.

E në një situatë si kjo, në konferencën për shtyp, Jurgen Klopp nuk i ka shpëtuar dot provokimeve të gazetarëve mbi deklaratat e tij të 7 viteve më parë dhe me ato që po ndodhin sot në ambientet e Liverpool.

“Sinqerisht çdo gjë ka ndryshuar. Sigurisht që diçka e tillë nuk më pëlqen aspak, por kam kuptuar se asokohe jam shprehur gabim. Ky është futbolli i ditëve të sotme”, ka theksuar ndër të tjera takticieni 56 vjeçar.

Moises Caicedo është mesfushori i tretë këtë verë që Liverpool ka transferuar. Disa javë më parë, organikës së Klopp iu shtuan Mac Allister dhe Dominic Szoboszlai.