Wenger ankohet për gjyqtarin, Ancelotti thotë se ai duhet t’i bëjë ballë presioneve

Sport

wengf

Arsenali dështoi të nxirrte një ndeshje dinjitoze edhe në takimin e kthimit me Bayernin, duke u mundur sërish 5-1. Ky eliminim i tillë nga Champions League-a me rezultat të përgjithshëm 10-2, i ka acaruar ndjeshëm gjërat në ambientin e topcinjëve të Londrës. Në fakt edhe Arsene Wenger, i cili kontestohet prej muajsh, u shfaq tejet nervoz pas ndeshjes. Ai u ankua për vendimet e gjyqtarit grek Sidiropoulos duke komentuar ashpër performancën e tij. “Ishte skandaloze. Penalltia dhe ndëshkimi me të kuq i Koscielny-it ishin të pashpjegueshme. Arbitri ishte i papërgjegjshëm!” – tha Wenger. Ky është një nga sulmet më të forta të francezit për sa i përket arbitrimit në 20 vite si trajner i Arsenalit. 67-vjecari thuhet se mund të rrezikojë edhe një ndëshkim nga UEFA. I pyetur për situatën që po kalon Arsene Wenger, Carlo Ancelotti u tregua diplomatik në përgjigjien e tij. Trajneri i Bayernit përpara sfidës së kthimit, qe shprehur se kishte respekt dhe konsiderata maksimale ndaj francezit dhe sërish mbajti të njëjtin pozicion. “Nuk e di, unë s’jam pronari i Arsenalit, por e thashë edhe të martën, Wenger është më me përvojë se unë, ai mund t’i mbijetojë presionit. Ne fituam, por rezultati nuk reflekton qartë se si u luajt ndeshja. Arsenali zhvilloi një lojë të mirë përpara se të mbetej me 10-të lojtarë” – tha Ancelotti, i cili tanimë kuotohet si ndër favoritët për ta fituar Champions League-ën.