XAVI HERNANDEZ, TRAJNERI I BARCELONËS:

Sport

“Jemi një skuadër me më shumë eksperiencë sesa një vit më parë. Lojtarë, të cilët nuk kishin fituar trofe, tashmë i kanë fituar ato. Kemi bërë gjithashtu edhe përforcime në merkato, e si pasojë besimi brenda grupit është rritur dhe shpresojmë të ngjitemi në nivelin që Barcelona kërkon të jemi. Këtë do të përpiqemi ta tregojmë sonte, përballë një klubi historik, një skuadre të madhe, me një trajner fantastic.

Champions League është një kompeticion që të jep entuziazëm, është një sfidë që të jep edhe mjaft pozitivitet. Nuk kemi frikë, apo të pasigurt. Është momenti për të luajtur futboll të mirë dhe të arrijmë rezultate pozitive. Po përpiqemi të shkojmë pikërisht në këtë drejtim.

Fakti që në brendësi të skuadrës kemi dy lojtarë që e kanë fituar këtë trofe, do të thotë se mentaliteti për të luajtur në të tilla nivele është aty. Ajo se ç’ka ndodhur në të shkuarën, nuk mund ta kthejmë dot pas, ndërsa e rëndësishme është të shohim përpara. Këtë herë kemi mundësi të tregohemi më konkurues në Champions League. Si fillim, objektivi kryesor është të arrijmë të paktën deri në raundin e 1/8-tave.

Joao Felix? Fatmirësisht ai po kalon një formë të shkëlqyer dhe është i lumtur. Mendoj se është përshtatur mjaft mirë në pozicionin që luan, sepse i jep mundësinë për të dhënë maksimumin dhe të shpalosë të gjithë potencialin e tij. Duhet theksuar se Felix punon shumë fort në stërvitje dhe pikërisht për këtë arsye është duke shkëlqyer edhe në fushën e lojës.

Lamine Yamal? Shpresoj që Yamal të shënojë fillimin e një epoke, por të flasim kaq shumë rreth tij, nuk është aspak diçka e mirë për të. Është e vërtetë se ai po tregon një nivel të jashtëzakonshëm, e për këtë arsye, pritshmëritë janë të larta. Më herët e kemi parë se kushdo që është krahasuar me Messin…nuk ka rezultuar diçka e mirë.”