Zbuloni detaje nga ceremonia e hapjes së ‘Minsk 2019’

Sport

Një spektakël më vete në Lojrat Evropiane pritet të jetë ceremonia e hapjes, që vjen ekskluzivisht në Tring Sport News, të premten, ora 21:00, në stadiumin e Dimamos së Minskut, që do të jetë tërësisht i rinovuar me rastin e këtij eventi. Ceremonia, do të transmetohet në më shumë se 100 vende dhe ekskluzivisht në TRING SPORT NEWS, pas emisionit “Sportsweek Minsk 2019” me Eva Muratin.


Do të jetë një shfaqje madhështore me më shumë se 500 artistë, mes të cilëve edhe yje me famë botëroe si diva e operas, Anna Netrebko. Po ashtu i ftuar do të jetë edhe këngëtari pop kazak, Dimash. Sipas Sergey Kalinnikov, superviziorit teknik të ceremonisë, “gjithcka do të zhvillohet në një nga stadiumet mitike të Minskut me kapacitet prej 22 mijë spektatorësh. Por si pasojë e ristrukturimeve është bërë më moderni i Bjellorusisë. Ndërkohë që sipas tij, ceremonia e hapjes do të jetë një spekakël në nivelin e Olimpiadës Verore. Pra, i gjithi për t’u ndjekur.


Megjithëse organizatorët nuk kanë dashur të zbulojnë sekretet, një pjesë e rëndësishme e ceremonisë do të jetë reminishencë e Lojrave Olimpike të vitit 1980, të zhvilluara në Bashkimin Sovjetik. Madje pas rreth 40 vjetësh, do të kthehet në stadiumin e “Dinamos” i njëjti pishtar i atëhershëm i flakës olimpike. Pritet që gjatë ditëve të këtyre Lojrave, të ketë shumë turistë e sportdashës nga 50 vendet pjeëmarrëse që do të jenë të pranishëm në kryeqytetin bjellorus. Me këtë rast, autoritetet vendëse kanë rishikuar procedurat për të huajt, duke lejuar hyrjen pa vizë të turistëve që do të kenë në zotërim një biletë të vlefshme për Lojrat Evropiane. Mësohet se deri tani janë shitur mbi 150 mijë bileta për rreth 200 garat që do të përfshijë ky kompeticion.