Zbuloni se cili lojtar i Kombëtares shqiptare nuk do të lëvizë nga Seria A

Sport

Kastriot Dermaku është një nga lojtarët e Kombëtares kuqezi, që e shtoi “koloninë” e shqiptarëve në Serinë A italiane, duke u transferuar te skuadra e Parmës. Mbrojtësi i afruar rishtaz te përfaqësuesja e drejtuar nga Edy Reja firmosi këtë sezon me klubin emilian, duke realizuar kështu ëndrrën e tij për të qenë pjesë e njërit prej kampionateve më të fortë në Evropë. Lojtari i bërë i njohur te Kozena dhe që në fakt përpra 4 vjetësh kishte qenë edhe pjesë e Empolit por pa pasur asnjëherë mundësinë të debutoi, mund të thuhet se hodhi hapin e madh në karrierë.

Mirëpo, javët e fundit, pikërisht mbrojtësi 27-vjecar ishte përfolur se mund të kthehej sërish në Serinë B, këtë here me fanellën e Peskarës, aty ku aktivizohet edhe mesfushori i Kombëtares, Ledian Memushaj. Megjithëse kundër dëshirës së vetë mbrojtësit u raportua për negociata të nisura midis dy klubeve për të huazuar lojtarin. Sidoqoftë, tashmë duket se çdo gjë ka sfumuar dhe Dermaku do të ketë mundësinë të shpalosë vlerat e tij në elitën e futbollit përtej Adriatikut. Në fakt ka qenë vetë presidenti i klubit të Peskarës, i cili kur është pyetur mbi transferimin e mundshëm të shqiptarit, është shprehur se mbrojtja e skuadrës së tij është e kompletuar, prandaj nuk është në program afrimi i ndonjë elementi tjetër. Kështu, Dermaku mund të përqendrohet për të dhënë maksimumin me Parmën, me synim për të fituar fanelën e titullarit. Përpara pak ditësh, ai bëri edhe debutimin me verdheblutë në miqësoren ndaj Trabzonsporit, ku fillimisht u aktivizua përkrah Bruno Alvesh dhe ishte i vetmi që mbeti në fushë përgjatë të gjithë ndeshjes.