Zidane kërkon mbështetjen e tifozëve; Galatasaray zbret në ‘Bernabeu’ për fitore

Sport

Zinedine Zidane, trajneri i Real Madrid: “Gjithmonë u kërkoj tifozëve tanë të na mbështesin sa më shumë, sidomos në momente të vështira. Lojtarët kanë nevojë sot për mbështetjen e tyre më shumë se çdo herë tjetër. Kjo është një ndeshje shumë e vështirë, përballë një kundërshtari që nuk toleron nëse ne bëjmë gabime. E dimë se çfarë duhet të bëjmë. Nëse nuk do të isha i sigurt se skuadra ime do të bëjë mirë, atëherë do të isha larguar. Të gjithë e dimë se mund ta fitojmë këtë ndeshje dhe të arrijmë kualifikimin për në fazën tjetër. Por mbetemi të qetë dhe me ‘këmbë në tokë’. Lojtarët kanë të gjithë dëshirën për të dhënë kontributin e tyre dhe kjo është një tjetër shenjë se gjërat po përmirësohen ndeshje pas ndeshje.”

Marcelo, mbrojtës i Real Madrid: “Jam një ndër lojtarët me më shumë eksperiencë në këtë skuadër dhe veç kënaqësisë e krenarisë për këtë, kam edhe më shumë përgjegjësi mbi vete. Ndeshja e sotme është mjaft e rëndësishme dhe është e qartë se kemi nevojë për të marrë 3 pikët. Ndeshjet e tilla janë ato që më pëlqejnë më shumë dhe fakti që ekipit i nevijotet vetëm fitorja, është një shtysë më shumë për të dhënë maksimumin në fushën e lojës. Mendoj se mund ta shohim këtë ndeshje edhe si një finale për ne, të paktën në këtë fazë.”

Fatih Terim, trajneri i Galatasaray: “Për ne, ky takim është si një finale kupe. Nuk kemi asgjë për të humbur dhe mund të ndryshojmë situatën tonë nëse fitojmë. E rëndësishme është që do të luftojmë deri në momentin e fundit. Nëse merremi me llogari, kuptojmë se nëse humbasim, na mbetet vetëm të luftojmë për të kaluar në kompeticionin tjetër. Ne nuk kemi shënuar gola, por jemi një skuadër që ka në përbërje lojtarë të cilët kanë krijuar me të vërtetë shumë raste. Kjo është një skuadër sulmuese. Nëse do rastet e krijuara do t’i finalizonim si duhet, atëherë do të ishim në një situatë tjetër. Por duhet t’i harrojmë ndeshjet e kaluara. Sot, dua të shoh një skuadër që nuk trembem nëse humbet e që zbret në fushë për të fituar.”

Florin Andone, sulmues i Galatasaray: “Është një ndeshje shumë e vështirë për ne. Në takimin e parë, ndoshta mund të kishim arritur një rezultat më të mirë, por tani luajmë në fushën e tyre dhe kjo mund të na i komplikojë disi gjërat. Duhet të jemi të përgatitur mirë, sepse nuk është një ndeshje e thjeshtë. Duam të grumbullojmë sa më shumë pikë të mundemi, pavarësisht kundërshtarëve që hasim në rrugëtimin tonë. Është e qartë që ne do të zbresim në fushë për të fituar, por edhe 1 pikë nuk do të ishte një rezultat i keq për ne.”